Alcaraz tërhiqet nga turneu i Barcelonës për shkak të dëmtimit në dorë, Sinner mbetet numri 1 në botë

Tenisti spanjoll, Carlos Alcaraz është detyruar të tërhiqet, nga turneu ATP 500 Barcelona për shkak të një problemi në kyçin e dorës së djathtë, duke shtyrë kështu përpjekjen e tij për të rimarrë vendin e parë në renditjen botërore.

Ky zhvillim favorizon italianin Jannik Sinner, i cili tani ka më shumë gjasa të paraqitet si numri 1 në turneun e radhës në Romë. Megjithatë, gjithçka do të varet nga ajo që do të ndodhë në turneun e ardhshëm në ATP Masters 1000 Madrid.

Problemi i Alcaraz-it nisi gjatë ndeshjes së tij kundër finlandezit Otto Virtanen në Barcelonë, kur në setin e parë ai kërkoi ndihmën e fizioterapistit për të trajtuar dorën. Edhe pse arriti ta fitonte ndeshjen në dy sete, shqetësimi vazhdoi edhe në ditët pasuese.

Spanjolli anuloi fillimisht stërvitjen e planifikuar dhe më pas njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga turneu. “Është një dëmtim më i rëndë nga sa prisnim dhe duhet të dëgjoj trupin tim për të shmangur pasoja më të mëdha në të ardhmen”, deklaroi ai.

Tërheqja e Alcaraz pritet t’i kushtojë atij 280 pikë në renditjen ATP, duke e bërë edhe më të vështirë parakalimin e Sinner në krye. Dueli për vendin e parë do të vazhdojë në Madrid, ku asnjëri prej tyre nuk ka pikë për të mbrojtur.

Synimi i Alcaraz-it mbetet rikthimi në formë optimale për një periudhë shumë të rëndësishme të sezonit në fushat me dhe, që përfshin turnetë në Madrid, Romë dhe kulmon me Roland Garros, ku ai do të synojë të mbrojë titullin.