SYRI TV/ Zjarri shkrumboi 30 apartamente në pallatin 12 katësh në Tiranë, 30 familje kalojnë natën në qiell të hapur
30 familje që banonin në pallatin pranë Farmacisë nr. 10 në Tiranë kanë kaluar natën në qiell të hapur. 4 persona janë arrestuar për zjarrin, ndërsa grupi hetimor nuk ka arritur ende në një konkluzion për shkaqet e flakëve. Zjarri nxori në pah edhe njëherë bllokimin e rrugëve nga lejet e ndërtimit pa kriter, ku zjarrëfikëset ngecën në shtegjet e ngushta duke mos arritur në kohë.
Nga SYRI TV
30 familje mbrëmë e kaluan natën në qiell të hapur, pasi apartamentet e tyre u përfshinë nga flakët e zjarrit, që nisën nga djegia e mbeturinave pranë një marketi në kompleksin pranë QSUT.
Këto janë momentet e para të nisjes së zjarrit, teksa kanë mjaftuar pak minuta që flakët të pushtonin të gjithë fasadën e pallatit, ndërsa banorët, krejt të vetëdijshëm për paaftësinë e shtetit për të ndërhyrë, kanë dalë në kohë nga pallati.
Ndonëse stacioni zjarrfikës është vetëm 1 kilometër larg objektit, të parët mbërritën forcat e policisë, që me disa bombola gazi në duar u futën brenda për të sinjalizuar ata banorë që kishin mbetur për të dalë.
Mungesa e një hidranti funksional në zonën pranë QSUT, mungesa e shkallëve të emergjencës dhe pamundësia e zjarrfikëses për të manovruar pranë objektit bënë që flakët e zjarrit të përpinin ndërtesën, duke shkrumbuar të paktën 30 apartamente dhe bizneset në dy katet e para.
Familjet, të cilave u dogj apartamenti mbrëmë, më së shumti kanë qëndruar jashtë ambienteve të pallatit, me shpresën për të ruajtur çfarë u ka shpëtuar flakëve të zjarrit.
Pritshmëritë e tyre nga institucionet janë të pakta, teksa shumë prej tyre këto banesa i kanë blerë me kredi.
Sipas një njoftimi për shtyp të policisë së Tiranës janë vënë në pranga
Agron Cara, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
Razie Sula 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
Enver Ademi 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë dhe
Altin Furtuna administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.