SYRI TV/ Shembjet pas Katedrales në Lezhë, banorët pa strehim, akuza ndaj Pjerin Ndreut
Shembja e banesave në zonën e Katedrales në Lezhë ka lënë në qiell të hapur 13 familje. Pranvera Stojani, e cila banonte në këtë zonë, akuzon kryebashkiakun Pjerin Ndreu se i ka mashtruar duke u thënë se do t’u gjente një zgjidhje, ndërsa tani ajo jeton në plastmas mes gërmadhave të shembjes.
Aksioni për shembjen e banesave në zonën pas Katedrales së qytetit të Lezhës ka nxjerrë në pah tensione dhe akuza nga banorët e prekur, të cilët pretendojnë se nuk u është ofruar zgjidhje për strehimin. Ndërsa Bashkia e Lezhës ka ndërhyrë për lirimin e hapësirës në funksion të një projekti zhvillimi urban, një prej familjeve që jetonte prej më shumë se tre dekadash në këto ambiente thotë se është lënë pa asnjë alternativë banimi. Pranvera Stojani, banore e kësaj zone, shprehet se, pavarësisht komunikimeve të mëparshme me institucionet vendore, premtimet për strehim nuk janë mbajtur. Ajo akuzon drejtpërdrejt kryetarin e bashkisë, Pjerin Ndreu, se i ka mashtruar banorët duke mos garantuar një zgjidhje konkrete përpara ndërhyrjes për shembjen e objekteve.
Pas shembjes së banesës, familja Stojani me tre anëtarë, mes të cilëve edhe një i moshuar, po qëndron në plastmas mes gërmadhave të shembjes, duke paralajmëruar se nuk do ta lëshojnë pronën, e cila është në proces legalizimi.
Në godinat pas Katedrales së qytetit të Lezhës jetonin 13 familje. Pjesa më e madhe e tyre janë detyruar të strehohen te të afërmit, pasi bonusi i qirasë i vënë në dispozicion nga bashkia është i pamjaftueshëm.