SYRI TV/ Debate në këshillin e mandateve, PS fut me urgjencë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit
Këshilli i Mandateve u përfshi nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, pasi Partia Socialiste nxitoi të diskutojë ndryshimet në rregulloren e Kuvendit. Ndërsa PD i kërkoi mazhorancës të mos shkelë Kushtetutën dhe të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, kreu i Kuvendit pretendoi se diskutimet kanë nisur, por amendamentet nuk do të miratohen para se të zbardhet vendimi i Kushtetueses.
Mazhoranca vijoi shqyrtimin me urgjencë të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit në mënyrë të njëanshme dhe pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e opozitës në Këshillin e Mandateve i kërkuan mazhorancës të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por kreu i Kuvendit u justifikua duke thënë se diskutimet për këtë çështje sapo kanë nisur. Nga ana tjetër, deputetët demokratë i kujtuan socialistëve se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit duhet të bëhen me konsensus mes palëve.
Më herët, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet e njëanshme të votuara nga mazhoranca për strukturën e komisioneve parlamentare, duke i cilësuar si të paligjshme, ndërsa mazhoranca vijon të shkelë Kushtetutën me ngutin për t’i miratuar sa më parë.