Mattarella kritika Trump: Bota, e tronditur nga aktet e agresionit jashtë së drejtës ndërkombëtare!

Presidenti italian, Sergio Mattarella ka kritikuar hapur sulmet ushtarake SHBA-Izrael ndaj Iranit, si dhe politikën e jashtme të Presidentit amerikan. 

Në një fjalim të mbajtur në Quirinale para një delegacioni të Forcave Ajrore me rastin e 103-vjetorit të themelimit të saj, Matarella dënoi ashpër qëndrimin e homologut të tij amerikan, kur tha se bota është e tronditur nga aktet e agresionit jashtë së drejtës ndërkombëtare, raporton agjencia shtetërore e lajmeve italiane, ANSA.

"Skena ndërkombëtare është e shënuar nga konflikte që po dëmtojnë Evropën dhe Mesdheun, dhe ekuilibri i paqes dhe stabilitetit që mendonim se ishte i konsoliduar deri vetëm pak vite më parë po përmbyset’, u shpreh Mattarella.

‘Themelet e bashkëjetesës paqësore, tashmë të tendosura nga kriza të shumta në pjesë të ndryshme të botës, sot janë tronditur më tej dhe tronditur thellësisht nga aktet e agresionit që shkelin sovranitetin dhe madje edhe dispozitat më themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke filluar me të drejtën humanitare’, ishte qëndrimi që Presidenti i Italisë mbajti ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur së fundmi, duke lënë të nënkuptohej se pas tyre qëndron SHBA-Izrael.

Ndaj lidhur me atë se çfarë po ndodh në botë, Mattarella tha: "Në këtë moment të trazuar, duket më e nevojshme se kurrë të mbrojmë me vendosmëri të përtërirë vlerat e përfshira në Kushtetutën tonë."