'Do përcjellë mesazhin e SHBA-së' - Delegacioni i Pakistanit në Teheran! Pritet raundi i dytë i negociatave
Një delegacion nga Pakistan, që ka vepruar si ndërmjetës në bisedimet për t’i dhënë fund luftës, ka mbërritur në Tehran.
Mes tyre janë kreu i ushtrisë pakistaneze, Asim Munir – të cilin Donald Trump e ka cilësuar më herët si “të preferuarin” e tij – si dhe ministri i Brendshëm Mohsin Naqvi, sipas një deklarate nga misioni i Pakistanit në OKB.
Më herët, media shtetërore iraniane IRIB bëri të ditur se delegacioni do të përcillte një mesazh nga SHBA dhe do të përgatiste një raund të dytë bisedimesh. (Raundi i parë, i zhvilluar fundjavën e kaluar në Islamabad, nuk arriti të prodhojë një marrëveshje.)
Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit Muhammad Shehbaz Sharif ka mbërritur në Jeddah, Saudi Arabia, “për të shkëmbyer pikëpamje mbi situatën rajonale”, sipas zyrës së tij.
SHBA dhe Iran po diskutojnë mundësinë e zhvillimit të një raundi të dytë negociatash, por ende nuk është caktuar asnjë datë, mëson BBC.
Po ashtu, mësohet se presidenti amerikan Donald Trump është i gatshëm të mbajë në fuqi bllokadën detare të SHBA-së, derisa të bindet se Irani është serioz për arritjen e një marrëveshjeje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi sot se bisedimet për paqe me Iranin mund të rifillojnë brenda një ose dy ditësh, ndërkohë që ushtria amerikane po pengon tregtinë detare të tij në përpjekje për ta detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.
Trump urdhëroi vendosjen e bllokadës detare ndaj anijeve që shkojnë drejt Iranit ose vijnë nga portet iraniane, pasi SHBA-ja dhe Irani dështuan të arrinin marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt gjatë bisedimeve për paqe në Islamabad më 11-12 prill.
Në një intervistë për Fox Business News të mërkurën, Trump tha se mendon se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”.