VIDEO/ Raphinha kërkon falje pas gjestit ndaj tifozëve të Atletico-s
Futbollisti i Barcelonës, Raphinha, ka kërkuar falje publike pas gjestit provokues që bëri ndaj tifozëve të Atlético Madridit në fund të ndeshjes së fundit mes dy skuadrave.
Tensioni i përballjes, që përfundoi me eliminimin e Barcelonës, nuk mbeti vetëm në fushë, por vazhdoi edhe pas vërshëllimës përfundimtare. Raphinha, i cili mungonte për shkak dëmtimi, u pa duke iu drejtuar tifozëve vendas në tribunë duke përsëritur shprehjen “jashtë” dhe duke bërë gjeste provokuese, duke lënë të kuptohet se Atletico do të eliminohej në raundin tjetër të UEFA Champions League.
Pamjet u publikuan nga platforma DAZN në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta. Një ditë më pas, braziliani vendosi të qetësojë situatën duke kërkuar falje në një koment në Instagram.
“Ishte një veprim i bërë në një moment tensioni, si reagim ndaj një tifozi që po tregonte mungesë respekti”, shkroi ai, duke shtuar: “Kërkoj falje për gjestin tim, i cili nuk përputhet me vlerat dhe karakterin tim”.
Megjithatë, ky nuk ishte i vetmi moment ku Raphinha shfaqi pakënaqësi. Në deklaratat pas ndeshjes, ai kritikoi ashpër arbitrimin, duke e quajtur takimin “një vjedhje”. Sipas tij, gjyqtarët nuk ndëshkuan mjaftueshëm lojtarët e Atleticos, pavarësisht numrit të madh të faulleve.
Anësori i Barcelonës shkoi edhe më tej, duke shprehur zhgënjimin e tij për mënyrën se si, sipas tij, skuadra katalanase trajtohet në ndeshje të tilla: “Duket sikur duhet të bëjmë trefishin e përpjekjes për të fituar”.
Deklaratat dhe gjestet e tij kanë shtuar polemikat pas eliminimit të Barcelonës, megjithatë kërkesa për falje synon të ulë tensionet dhe të mbyllë këtë episod.
"¡Pa' fuera!" 🔜⏭️
— DAZN Fútbol (@DAZNFutbol) April 14, 2026
El mensaje de Raphinha a la afición del Atlético de Madrid después de caer eliminados en Champions 👀#UCL pic.twitter.com/amy7tGrcdN