Laporta shpërthen ndaj arbitrimit: Turp për UEFA-n, do të paraqesim sërish ankesë

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka reaguar ashpër ndaj arbitrimit në përballjen çerekfinale të UEFA Champions League kundër Atlético Madridit, duke e cilësuar atë si një “turp” dhe duke paralajmëruar një tjetër ankesë zyrtare ndaj UEFA.

Laporta, i cili foli publikisht gjatë një eventi sportiv, u shpreh se vendimet e gjyqtarëve dhe sistemit VAR në të dyja ndeshjet e eliminatores kanë dëmtuar rëndë Barcelonën. “Dua të përgëzoj Atleticon, por kjo nuk e ndryshon faktin që arbitrimi ishte një turp. Është e papranueshme ajo që ka ndodhur me ne,” deklaroi ai.

Ai renditi disa episode që, sipas tij, ndikuan drejtpërdrejt në rezultat: një penallti e paakorduar në ndeshjen e parë, një karton i kuq i diskutueshëm, si dhe vendime të tjera të VAR-it në takimin e kthimit. Laporta theksoi se rasti i Eric García-s, goli i Ferran Torres dhe një penallti ndaj Dani Olmo ishin interpretuar gabim nga arbitrat.

Gjithashtu, ai përmendi edhe një ndërhyrje të ashpër ndaj Fermín López, për të cilën pretendon se nuk u ndëshkua siç duhej, duke shtuar se vendime të tilla janë “të papranueshme në këtë nivel”.

Laporta konfirmoi se Barcelona do të paraqesë sërish një ankesë në UEFA, pasi ajo e mëparshmja nuk u mor në konsideratë. “Duam shpjegime dhe do të kërkojmë që të vihet në pah ajo që ka ndodhur,” u shpreh ai.

Në fund, presidenti katalanas hodhi poshtë akuzat se Barcelona favorizohet nga arbitrat: “Ata që thonë këtë janë të turpshëm. Mjafton të shohin këtë eliminatore.”

 

Pavarësisht polemikave, Laporta theksoi se tani skuadra duhet të përqendrohet te gara në kampionat.