VIDEO/ Kanosën të riun për 30 mijë euro dhe i morën makinën, në pranga 3 persona në Vlorë
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Strike”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për shtrëngim me anë të kanosjes dhe grabitje të një automjeti.
'Aksioni u zhvillua pas kallëzimit të një 30-vjeçari, i cili kishte denoncuar se ishte kërcënuar nga tre shtetas për t’u detyruar të jepte shumën prej 30 mijë eurosh', thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.
Njoftimi/ DVP Vlorë
Finalizohet operacioni i koduar “Strike”, si rezultat i administrimit dhe ndjekjes së menjëhershëm të kallëzimit të një shtetasi.
Kanosën një 30-vjeçar, që t’iu jepte 30 000 euro, dhe i morën automjetin atij, falë veprimeve të shpejta të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetas.
Sekuestrohen automjeti i të arrestuarve dhe automjeti që ata i morën 30-vjeçarit.
Pas kallëzimit nga një 30-vjeçar, se dje, në një lokal, e kishin kanosur për t’i marrë një shumë parash, 3 shtetas, të cilët dyshohet se kishin armë zjarri me vete, dhe më pas i kishin marrë automjetin, deri në dhënien e parave të kërkuara menjëherë është ngritur një grup i posçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera, si administrimi i provave dhe kryerja e veprimeve hetimore me metoda proaktive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Seksionit Operacional, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike”, në kuadër të të cilit u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimit i 3 autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve:
-A. G., 26 vjeç, M. B., 22 vjeç dhe M. H., 29 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, mesditën e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, kanë kanosur 30-vjeçarin K. S., banues në Vlorë, që t’iu jepte 30 000 euro, më pas i kanë marrë automjetin e tij tip “BMË” dhe janë larguar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.