Juventusi projekton talentin 19-vjeçar të akademisë, Edon Zhegrova del në shitje

E ardhmja e Edon Zhegrova te Juventusi duket gjithnjë e më e pasigurt, teksa klubi bardhezi po planifikon ndryshime për sezonin e ardhshëm.

Pas një sezoni zhgënjyes dhe problemeve të mëdha me dëmtimin e ligamenteve që e ndoqën që nga koha te Lille, sulmuesi kosovar nuk ka arritur të rikthehet në formën e tij më të mirë.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit janë të hapur për ta shitur në rast se vjen një ofertë e kënaqshme.

Ndërkohë, Juventusi duket se e ka gjetur zëvendësuesin brenda shtëpisë.

Bëhet fjalë për talentin 19-vjeçar Adin Licina, i cili po konsiderohet si një nga premtimet më të mëdha në akademinë bardhezi.

Licina ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm me Juventus Next Gen dhe ka stërvitur edhe me ekipin e parë, duke lënë përshtypje shumë të mira.

Stili i tij i lojës i ka bërë disa ta krahasojnë me Kenan Yıldız, kur ky i fundit mbërriti në Torino në vitin 2022.

Jo vetëm Zhegrova, por edhe disa nga afrimet e fundit si Jonathan David dhe Lois Openda nuk kanë përmbushur pritshmëritë, çka ka detyruar klubin të rishikojë strategjinë.

Në këtë kontekst, Juventus mund të zgjedhë të mos shpenzojë në merkato, por t’i besojë talenteve të reja, me Licinan që shihet si një investim për të ardhmen.