Komiteti i Punëve të Jashtme i PE paralajmëroi për prapambetjen demokratike të Turqisë, bën thirrje për reforma

Anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) kanë paralajmëruar për vazhdimin e prapambetjes demokratike në Turqi dhe po bëjnë thirrje për reforma dhe një përgjigje më të fortë nga Bashkimi Evropian.

Raporti i komitetit thotë se për shkak të mungesës së reformave demokratike në vend, Turqia po humbet një mundësi që zgjerimi i BE-së të fitojë një vrull të ri.

"Pavarësisht deklaratave të qeverisë turke për angazhim ndaj anëtarësimit, çështjet kryesore në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias mbeten të pazgjidhura. Deputetët kërkojnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, mbrojtjen e gazetarëve dhe fundin e gjyqeve të motivuara politikisht", deklarojnë deputetët e AFET-it.

Raporti i komitetit kritikon ngurrimin e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare kur bëhet fjalë për mbrojtjen e standardeve demokratike të Turqisë dhe u bën thirrje atyre të jenë "më të zëshëm".

Raporti kujton se procesi i asociimit me turqit u ndalua në vitin 2018, por thekson gjithashtu se Turqia "mbetet një vend strategjikisht i rëndësishëm dhe një aleat i NATO-s".

Shtohet se ndikimi i saj në rajonet e Detit të Zi, Ukrainës, Kaukazit Jugor dhe Lindjes së Mesme është i fortë, dhe për këtë arsye këmbëngulet në forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Në raport, deputetët bëjnë thirrje për vazhdimin e dialogut mbi bashkëpunimin sektorial, modernizimin e bashkimit doganor dhe përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave, si dhe theksojnë rëndësinë e ndihmës financiare për shoqërinë civile dhe organizatat e udhëhequra nga refugjatët.

“Edhe pse aktualisht nuk ka bazë për të vazhduar procesin e pranimit për shkak të shtypjes së opozitës, ekziston një mundësi për përparim në axhendën dypalëshe, veçanërisht në politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen”, tha raportuesi i PE-së për Turqinë, Sancho Náchez Amor.

Raporti i AFET-it u miratua me shumicë votash - 44 vota pro, 10 kundër dhe 17 abstenime, dhe Parlamenti Evropian do të votojë për të në njërën nga seancat plenare të ardhshme.