Njihuni me stilistët që transformojnë familjet mbretërore
Në fillim të këtij muaji, këshilltarja e garderobës së princeshës së Uellsit, Natasha Archer, njoftoi hapjen e biznesit të saj të ri si stiliste, pas më shumë se një dekade pune në familjen mbretërore. Edhe pse princesha ka thënë shpesh se nuk dëshiron që veshjet e saj të jenë në qendër të vëmendjes, është e qartë se Archer ka ndihmuar në transformimin e stilit të Katerinës, duke e kthyer atë në një ikonë elegante dhe moderne të modës mbretërore.
Stilistët dhe garderobistët janë ndër personat më të rëndësishëm në çdo familje mbretërore, edhe pse zakonisht nuk njihen nga publiku. Ata sigurohen që një princeshë apo mbretëreshë të vishet në mënyrë të përshtatshme për çdo rast, duke marrë parasysh faktorë si moti apo aktivitetet. Përtej kësaj, një stilist i mirë ndihmon një figurë mbretërore të kontrollojë imazhin e saj, duke krijuar një garderobë që shpreh personalitetin e saj.
Siç thotë autorja Elizabeth Holmes, një pjesë e madhe e mënyrës se si perceptohen publikisht varet nga paraqitja e tyre. Një stilist mund ta drejtojë këtë imazh, duke e bërë më klasik ose më modern, sipas rastit.
Një shembull i qartë është Angela Kelly, e cila me zgjedhjen e ngjyrave më të forta e transformoi mbretëreshën Elizabeta II në një figurë më energjike dhe të dallueshme. Por përveç estetikës, shumë e rëndësishme është edhe ana praktike: organizimi i garderobës, bashkëpunimi me stilistë, rregullimet e rrobave dhe përgatitja e tyre. Perfeksioni në detaje është thelbësor në modën mbretërore.
Më poshtë janë disa nga stilistët që qëndrojnë pas figurave mbretërore në botë:
Anja Camilla Alajdi – Mbretëresha Meri e Danimarkës
Alajdi filloi të punonte me Mary në vitin 2002, kur ajo ishte ende një vajzë australiane me stil shumë të thjeshtë. Me kalimin e viteve, ajo e transformoi plotësisht pamjen e saj, duke e bërë një nga mbretëreshat më elegante në Europë.
Tina Törnqvist – Princesha e Kurorës Viktoria e Suedisë
Törnqvist ka punuar me princeshën për më shumë se një dekadë. Victoria ka pranuar se nuk është shumë e interesuar për modën dhe i beson stilistes për zgjedhjet e saj.
Jacqui Meakin – Mbretëresha Kamila
Meakin ka dekada eksperiencë me familjen mbretërore dhe filloi të punonte me Kamilën para martesës së saj me princin Çarls. Ajo e ndihmoi të kalonte nga një stil i thjeshtë rural në një paraqitje elegante dhe formale.
Annie Miall – Zara Tindall
Miall filloi të punonte me Zara Tindall-in në vitin 2020 dhe është vlerësuar për modernizimin e garderobës së saj.
Eva Fernandez – Mbretëresha Leticia e Spanjës
Ish-redaktore mode, Fernandez e ka ngritur stilin e Leticias në një nivel më modern dhe të guximshëm, me kostume të qepura bukur dhe kombinime elegante.
Lotta Carlsen – Princesha Sofia e Suedisë
Carlsen ndihmoi Sofinë, e cila më parë ishte figurë publike në media, të përshtatej me jetën mbretërore përmes një stili më klasik dhe të përmbajtur.
Pika e veçantë: Ajo krijoi një imazh femëror dhe të afërt, me elementë si lule, fjongo dhe aksesorë delikatë, duke e kthyer Sofinë në një figurë moderne përrallore.