Zvonimir Boban kritikon Barcelonën dhe Hansi Flick: Me këtë stil nuk fitohet kurrë Championsi
Eliminimi i Barcelonës nga Atlético Madrid në Champions League vazhdon të shkaktojë reagime të forta në botën e futbollit.
Një nga zërat më kritikë ka qenë ish-mesfushori legjendar dhe analisti aktual, Zvonimir Boban.
Legjenda kroate nuk i kurseu kritikat ndaj trajnerit Hansi Flick, duke vënë në pikëpyetje filozofinë e lojës së katalanasve.
Sipas tij, mënyra aktuale e të luajturit nuk është e mjaftueshme për të fituar një kompeticion kaq të fortë si Championsi.
“Nuk jam dakord me Flick. Me këtë mënyrë loje, Barcelona nuk do ta fitojë kurrë Champions League”, u shpreh ai.
Ish-lojtari i Milanit theksoi se problemi kryesor i Barcelonës është mungesa e balancës, veçanërisht në fazën mbrojtëse. “Luajnë bukur, por lënë shumë hapësira. Në këtë nivel, nëse u jep kundërshtarëve kaq shumë mundësi, ndëshkohesh menjëherë”, shtoi ai.
Sipas Boban, për të fituar Champions League nevojitet më shumë pragmatizëm dhe menaxhim i situatave.
“Nuk mjafton vetëm loja e bukur. Duhet kujdes në detaje dhe kontroll i momenteve vendimtare”, theksoi ai.
Eliminimi nga Atlético Madrid ka hapur një debat të madh rreth filozofisë së Barcelonës, me shumë analistë që dyshojnë nëse ky stil mund t’i çojë katalanasit drejt lavdisë europiane.