Goditje e rëndë për Liverpoolin: Hugo Ekitike rrezikon sezonin dhe Botërorin
Një lajm shumë i keq vjen për Liverpoolin dhe për kombëtaren e Francës, pasi sulmuesi Hugo Ekitike ka pësuar një dëmtim tepër serioz në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germain në Champions League.
Talenti i “The Reds” u lëndua në pjesën e parë gjatë një sprinti pa kontakt me kundërshtarët.
Në minutën e 28-të, pas një tentative për të arritur një top të dërguar nga Dominik Szoboszlai, ai rrëshqiti dhe u rrëzua në tokë, duke kapur menjëherë thembrën – një sinjal alarmi për një dëmtim serioz.
Sulmuesi u largua nga fusha me barrelë, mes shqetësimit të të gjithëve.
Sipas raportimeve, dyshohet fort për këputje të tendinës së Akilit, një nga dëmtimet më të rënda për një futbollist. Rikuperimi në raste të tilla mund të zgjasë nga 4 deri në 12 muaj, duke e vënë në pikëpyetje jo vetëm pjesën e mbetur të sezonit, por edhe pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës me Francën.
Moment prekës ishte kur lojtarët e PSG-së, si Achraf Hakimi dhe Willian Pacho, qëndruan pranë tij gjatë trajtimit.
Në vend të tij u aktivizua Mohamed Salah, në një mbrëmje të vështirë për anglezët.
Paris Saint-Germain fitoi 2-0 në “Anfield”, me dy gola nga Ousmane Dembélé, duke eliminuar Liverpool nga kompeticioni.
Ky dëmtim i Hugo Ekitike përbën një goditje të madhe për Liverpoolin, duke parë se ai kishte një sezon debutues shumë të mirë me 23 gola në 44 ndeshje.
Tani, klubi dhe lojtari përballen me një sfidë të gjatë rikuperimi dhe një periudhë të vështirë përpara.