Tiranë/ 40% e autobusëve hiqen nga qarkullimi, Kreu i Shoqatës: Heshtja e institucioneve na çoi në kolaps

Transporti publik në kryeqytet është futur në një krizë të thellë, duke sjellë kaos dhe vështirësi të panumërta për qytetarët. Duke filluar nga sot (15 prill) rreth 40% e autobusëve urbanë janë hequr nga qarkullimi, një masë drastike e ndërmarrë nga operatorët për shkak të rritjes së papërballueshme të kostove, veçanërisht çmimit të naftës, dhe heshtjes totale nga institucionet shtetërore.

Përfaqësuesit e operatorëve të transportit publik bëjnë me dije se ky vendim erdhi pas ezaurimit të çdo mundësie për dialog dhe bashkëpunim.

I ftuar ditën e sotme në Kafe Shqeto, Dashnor Memaj, kryetar i shoqatës së transportiturban dhe ndërqytetas tregoi se një takim i mbajtur më 1 prill me përfaqësues të institucioneve përfundoi me premtimin për një takim tjetër më 7 prill.

LEXO EDHE: Vendimi i shoqatave/ Reduktohet me 40% flota e transportit publik

Ky takim, sipas Memaj nuk u realizua kurrë dhe prej asaj dite, nuk ka pasur asnjë reagim, duke i lënë operatorët pa asnjë mbështetje përballë kostove stratosferike, ku çmimi i naftës ka arritur në nivele të papërballueshme.

Pasojat e kësaj situate po i vuajnë drejtpërdrejt qytetarët. Ai tregoi se me 40% më pak mjete në qarkullim, koha e pritjes në stacione praktikisht është dyfishuar.

“Sot janë 40% e mjeteve më pak, nesër mund të jenë 50% apo 60%”, deklaroi Memaj, duke theksuar se së shpejti shërbimi mund të degradojë në një pikë ku nuk mund të quhet më transport publik, por thjesht disa mjete në rrugë sa për të mbajtur licencat aktive. 

Deklarata e plotë:

"Na u premtua që do të kishim një reagim shumë të fortë, me datë 7 na u premtua që do të takohemi me ministrat dhe sot është data 15 jo vetë që ky takim nuk ka ndodhur, por nuk kemi patur asnjë reagim.

Të gjendur të konsumuar çdo mundësi bashkëpunimi i operatorëve me institucionet, erdhëm në këtë pikë që u detyruam të njoftojmë qytetarët, siç dihet ka qenë njoftimi për qytetarët, që të marrin masa për të ikur në punë dhe në destinacionin e vet, duke dalur më herët, sepse do të ketë 40% më pak autobuza në rrugë.

Praktikisht gjysma e linjave nuk ka dale sot në punë. Në qoftë se një linjë operon me 10 autobuza në ditë, ne aktualisht janë gjashtë autobuza në në operim, që do të thotë frekuenca është shtuar gjysma e kohës.

Po themi fluksi i njerëzve është dyfishi më i madh. Nuk ka një shërbim, sot edhe këta autobuzë që janë do të kenë edhe defekte pa fund, me dyer të thyera, me xhama të thyer, do e dhunojnë mjetin, qytetarët do jenë në siklet shumë të madh me njëri-tjetrin.  Do të jetë një shërbim katastrofik, po them. 

Kjo është një nëglizhencë e tejskajshme të institucionale, sepse të takohesh, të premtosh, do të merren masa, do të ritakohemi javën tjetër, do të kemi masa konkrete, sepse ishin koshientë që nafta ka shkuar në këto çmime, kemi një rritje me diku me 70 lekë të çmimit të naftës nga ai para luftës, janë rritur edhe pjesët e këmbimit për shkak të transportit, të importeve që vijnë.

Kemi një rritje totale të kostove. Kemi dërguar disa pika të cilat ne shpresonim të ketë një ndërhyrje, por ajo më emergjente ishte një subvencion i drejtpërdrejtë, siç u bë edhe, po themi në luftën e Ukrainës. Na u premtua që do të kemi takim, patëm një heshtje totale.

Ne me mekanizmat tonë të komunikimit jemi munduar vazhdimisht, po edhe me njerëz nëpër institucione, a kemi ndonjë shpresë, ndonjë dritë jeshile, a po merret dikush me këtë punë? Ka një heshtje totale dhe jemi të detyruar në këtë pikë.

Kjo është vetëm fillimi i asaj që na na pret në vazhdimësi, sepse do të ketë një përshkallëzim edhe më të madh"