Raphinha shpërthen në akuza dhe rrezikon dënimin nga UEFA: Ndeshje e vjedhur, gjykim i tmerrshëm
Eliminimi i Barcelonës nga Atlético Madrid në Champions League ka sjellë reagime të forta, ku protagonisti kryesor ishte sulmuesi brazilian Raphinha.
Lojtari nuk ishte i pranishëm në fushë për shkak dëmtimi, por e ndoqi ndeshjen nga afër dhe menjëherë pas përfundimit zbriti në terren për të ngushëlluar shokët e skuadrës.
Megjithatë, emocionet e momentit e shtynë të shpërthejë me akuza të forta ndaj arbitrimit.
“Ishte një ndeshje e vjedhur, gjykimi ishte i tmerrshëm”, deklaroi ai për “DAZN Brazil”.
“Arbitrimi kishte shumë probleme. Është e pabesueshme për disa vendime që u morën. Lojtarët e Atletikos bënë shumë faulle dhe gjyqtari nuk dha asnjë karton të verdhë. Dua të kuptoj frikën që kanë se Barcelona do të rikthehet të fitojë”, u shpreh braziliani.
Deklarata të tilla mund t’i kushtojnë shtrenjtë lojtarit, pasi UEFA është e njohur për ndëshkime ndaj kritikave publike për gjyqtarët.
Një rast i ngjashëm ishte ai i Neymar, i cili u pezullua me tri ndeshje pas komenteve të ashpra në rrjetet sociale pas një sfide mes Paris Saint-Germain dhe Manchester United.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse UEFA do të marrë masa ndaj Raphinha, ndërsa polemikat për arbitrimin pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.