Vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet sot seancë gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Para trupit gjykues do të paraqiten Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.
Seanca pritet të nisë në orën 09:30.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë.
Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.