Gjuha shqipe në RMV - Rashidi: Marrëveshja e Ohrit s’u zbatua 100%, faktori politik shqiptar i ndarë!

Statusi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut mbetet një çështje themelore dhe e pazgjidhur plotësisht, e mbërthyer mes kornizës ligjore të sanksionuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe një realiteti politik e social ku zbatimi i plotë i saj has vështirësi të vazhdueshme.

I ftuar në ‘A Show’ në Syri Tv, gazetari Nazmi Rashidi, tha se debati i fundit ka nxjerrë në pah jo vetëm sfidat historike, por edhe ndarjet e thella brenda kampit politik shqiptar, të cilat e pengojnë një qëndrim unik dhe të fuqishëm për këtë kauzë kombëtare.

Po Rashidi, theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te pala maqedonase, më shumë se sa nga përçarja politike shqiptare. Forcat politike, sipas tij, në vend që të bashkohen për të kërkuar zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore, janë përfshirë në një betejë akuzash reciproke.

Kampi i ri opozitar, theksoi gazetari, akuzon partitë që kanë qenë në pushtet për dështim në implementimin e plotë të marrëveshjes, duke krijuar një klimë mosbesimi që dobëson zërin e përbashkët shqiptar.

Kjo situatë tensioni, shpjegoi ndër të tjera Rashidi, tregon se çështja e gjuhës shqipe nuk është thjesht një problem administrativ, por një nyje identitare, moszgjidhja e së cilës rrezikon të minojë bashkëjetesën dhe themelet e shtetit multietnik.

Marrëveshja e Ohrit, të cilës i referohesh, në fakt solli marrëveshjen për mënyrën se si do të udhëhiqej Maqedonia mes shqiptarëve dhe maqedonasve, ku pa diskutim, në qendër të kësaj marrëveshjeje gjithmonë ka qenë, por edhe para, çdo veprim politik i shqiptarëve të Maqedonisë, ka pasur gjuhën shqipe dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Marrëveshja e Ohrit, e cila solli një paqe mes maqedonasve dhe shqiptarëve, ku pa diskutim gjuha shqipe ishte në krye dhe si pjesë e kësaj marrëveshjeje parashikohet që gjuha shqipe të jetë zyrtare. Tani si rrjedhojë e Marrëveshjes së Ohrit, një pjesë e kësaj marrëveshjeje është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut.

Dhe këtu fillon diskutimi që në disa raste është i drejtë, në disa raste kalon për fat të keq në interpretime momentale të asaj se njëra anë ka 100% të drejtë dhe pala tjetër sigurisht ka 100% gabim, që është një narrativ i gabuar sepse edhe në ë ekuacionet më ideale matematikore 100% nuk mund të jesh i saktë. Çfarë dua të them me këtë? Në Kushtetutën e Maqedonisë dhe në ligjet e Maqedonisë, gjuha shqipe parashikohet të jetë zyrtare, por me një terminologji që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe ku shqiptarët përshkruhen me termin popullsia mbi 20%, ose gjuha e popullsisë mbi 20%. Dhe kjo kategori vjen nga Marrëveshja e Ohrit.

Nëse do t'i bënim një kritikë Marrëveshjes së Ohrit, atëherë po, do të duhet të thonim që kjo marrëveshje që shqiptarët e pranuan, bashkë me maqedonasit dhe komunitetin ndërkombëtar, ndoshta u gabua që u lejua të përdoret kjo terminologji. Por, meqenëse pas 25 vjetësh kjo terminologji është pjesë e ligjeve tona, atëherë si rrjedhojë ne përballemi me faktin që gjuha shqipe, shqiptarët e kështu me radhë, përtej këtij kategorizimi, janë pjesë e ligjeve dhe ligjet pra edhe gjuha shqipe pra është pjesë e sistemit.

Marrëveshje e Ohrit megjithatë kishte një fazë të caktuar se si implementohej. Dhe problemi i Maqedonisë me çështjen e gjuhës sot është si vijon, për mendimin tim, por besoj edhe për një pjesë të madhe të qytetarëve që nuk janë partizanë politikë. Që në ligje ekziston, pavarësisht atij termi të papranueshëm për shumë shqiptarë, duke më përfshirë dhe mua, por në ligje ekziston, por në praktikë ne kemi dështuar për ta implementuar 100%.

Për momentin, klasa jonë politike është aq e ndarë saqë do të dukej e vështirë edhe pse në mënyrë retorike ata të thonë që po, ne jemi bashkë. Se shiko, ne kemi një moment për herë të parë në historinë e Maqedonisë ku një subjekt politik ose një grup njerëzish thonë që gjuha shqipe nuk është zyrtare. Ne deri më tani kemi pasur një situatë ku, dhe më duhet ta them hapur, ku përballjen e kemi pasur me maqedonasit. Sigurisht që, siç e shpjegova në fillim, prandaj ishte ajo, ai shpjegim në fillim për ata, për atë publik që ndoshta nuk i dinë detalet. Në terminologjinë e Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët janë grupi etnik mbi 20% dhe në qoftë se bëjmë një analizë ose një kritikë të kësaj marrëveshje, këtë lloj kategorizimi ka dashur të bëjë marrëveshja e asaj kohe, që shqiptarët mos të hyjnë në grupet e minoriteteve. Dhe si rrjedhojë, si grupi i dytë etnik më i miri, më i madhi, edhe më i miri mund të jetë. Më i madhi, mund të ndahet nga minoritetet e tjera.

Përderisa kjo marrëveshje ka vonesa dhe ne këtë e kemi pranuar dhe si rrjedhojë prandaj dhe kemi rotacion politik të skenës politike në Maqedoni. Ishte BDI-ja gjithë ato vjet në qeveri dhe kemi një strukturë tjetër politike që tani quhet Vlen që kanë ardhur, se në qoftë se ishin aq të mirë ata, këto nuk do vinin dot. Pra në qoftë se gjithçka e kishin bërë ata, këto nuk do vinin dot. Dhe shumë mirë që ka dy, dy blloqe politike për ta demistifikuar edhe këtë bashkimin me çdo kusht, sepse në një rrethanë të tillë do kishim një monizëm. Pra na duhet një dualitet dhe shumë mirë që është dhe që ka kritikë. Por jo me çdo kusht, kritikë me çdo kusht për ta mbajtur pushtetin.

Dhe ajo që vë re tani në debate, në diskurs publik, është që nuk bëhet një kritikë reale se ku jemi, çfarë kemi bërë ne, çfarë kemi arritur ne nga kjo Marrëveshje e Ohrit deri më tani dhe si ta mbindërtojmë. Ndjesia që krijohet është se me çdo kusht duhet të rrënohet diçka që është ndërtuar deri më tani. Dhe këtu shfaqen frikërat. Pse? Sepse në palën maqedonase kemi një parti që është më nacionaliste, e cila shpreh hapur një narracion kundër shqiptarëve, e cila në retorikën e saj indirekte dhe direkte thotë që shqiptarëve duhet t'ua tregojmë vendin. Dhe bashkarisht me këtë, kur kësaj retorike nacionaliste maqedonase ia bashkon dhe shqiptarët e Vlen-it që i bëjnë kritikë BDI-së që pse s'i ka realizuar çështjet këto 20 vjet, në fakt ne kemi një dualitet të madh, çfarë kanë bërë ata është keq dhe çfarë bëjmë neve është mirë. Por realiteti asnjëherë nuk është bardh e zi.