FOTO/ Shkrumbohet pallati 12 katësh në Tiranë, vijon shuarja e flakëve në apartamente, dëmet kolosale
Pallati 12 katësh i cili u përfshi nga flakët pasditen e sotme te Farmacia nr.10, përballë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë është shkrumbuar totalisht.
Pas më shumë se 3 orësh betejë me flakët zjarrfikësit arritën të izolojnë flakët në orët e mbrëmjes kur autoritetet deklaruan se përjashtonin çdo mundësi të përhapjes së zjarrit në një tjetër sipërfaqe të kompleksit, ndërsa vijonte puna për të shuar vatrat e flakëve në apartamente.
Zjarri, dyshohet se nisi nga një biznes, që ndodhej në katin e parë dhe u përhap në përmasa të frikshme në të gjithë fasadën e pallatit.
"Zjarri ka nisur në katin e parë të objektit, ku ka qenë një biznes. Pas vendosjes nën kontroll të situatës, do të nisim ekspertizën zyrtare për nisjen e zjarrit. Fasada ka ndikuar në përhapjen e vatrës së zjarrit" deklaroi Shkëlqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikësve të Tiranës
Pamjet videove që mbërritën në redaksinë e Syrit rreth orës 17:30 ishin të frikshme.
Ndërkohë që një banore i tha mikrofonit të Syrit se zjarri kishte nisur që në orën 14:00.
11 persona – banorë e zjarrfikës- u transportuan në spital për të marrë trajtim mjekësor kryesisht për shkak të asfiksisë, ndërsa një grua u dërgua në spital me djegie në trup.
Fasada e pallatit mori flakë tërësisht deri në katin e 12-të dhe, zjarri, depërtoi edhe brenda në apartamente duke përfshirë gjithë seksionin nga kati i parë deri te i fundit.
Pati një moment kur u ndërhy me helikopter, por ishte e kotë pasi uji që hidhej nga helikopteri hidhej mbi tarracën e godinës, ndërsa zjarri ishte në katet e 5, 6, 7 dhe 8.
Sipas banorëve të cilët folën për mikrofonin e Syrit ndërhyrja për shuarjen e flakëve ka qenë e vonuar duke ngritur pikëpyetje për menaxhimin e situatës.
Ende nuk dihet çfarë e shkaktoi zjarrin.
Drejtori i Përgjithshëm i policisë deklaroi se do marrin gjithë kamerat e sigurisë dhe do kryejnë gjithë procedurat hetimore.
Dhe nëse zjarri ka ardhur nga persona të jashtëm, patjetër që do ketë edhe masa ekstreme”, tha kryepolici Skënder Hita.
Drejtori i policisë së Shtetit, Skënder Hitaj tha se ende nuk mund të flitet për një bilanc, por dëmet e shkaktuara janë kolosale.