Grillo: Qeveria përdor diasporën si fasadë për të mbuluar korrupsionin, kërkohet llogaridhënie nga diaspora
E ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën, aktivistja shqiptare Iva Grillo u shpreh se përfshirja e diasporës në aktivitetet e qeverisë po përdoret për të legjitimuar një pushtet të akuzuar për korrupsion.
Ajo theksoi se prezenca e figurave të suksesshme shërben për të krijuar një fasadë normaliteti, duke fshehur problemet reale në vend. Sipas saj, pjesëmarrja në këto samite nuk sjell ndryshim konkret, por i shërben imazhit të qeverisë.
Grillo u shpreh se diaspora duhet të kërkojë llogari dhe standarde reale qeverisjeje, jo favore. Në përfundim, Grillo u shpreh se angazhimi i diasporës duhet të jetë në funksion të ndryshimit real dhe jo të legjitimimit të pushtetit.
Pjesë nga deklarata:
Nga viti 2020, ku rënia e shtetit shqiptar ose kapja e shtetit nga shpura e kryeministrit Rama filloi të bëhej live, ishte në sytë e gjithë botës, pavarësisht se ku jeton, nëse jetohet në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë.
Dhe ka qenë gjithmonë një pyetje për t’i dhënë një përgjigje faktit se si ka mundësi që njerëz të cilët jetojnë në vende perëndimore, ku ka disa standarde të tjera të llogaridhënies dhe të mënyrës së qeverisjes, mund ta vendosin fytyrën e tyre, reputacionin, qoftë edhe sukseset e tyre personale, në krah të një figure kaq thellësisht të korruptuar siç është kryeministri Rama, jo thjesht si individ, por edhe si model qeverisës.
Ç’është e drejta, në fillim, para disa viteve, përgjigjja ka pasur edhe elementë të një lloj sqarimi që jepja unë nëpërmjet një lloj naiviteti, mosnjohjeje të situatës në Shqipëri, ndoshta një nostalgjie, e shoqëruar edhe me një dëshirë herë pas here ndoshta të sinqertë për të kontribuar.
Por me kalimin e viteve, Adi, duke qenë se tani pa diskutim Shqipëria ka zënë lajmet botërore dhe jo gjithmonë për lajme pozitive, turizmi e të tjera, siç mundohet të na thuhet gjithë kohës, dhe duke qenë se publiku mbarëkombëtar dhe jashtë vendit ka akses të madh në informacione, është bërë e qartë tashmë se çfarë përfaqëson qeverisja Rama dhe cilat janë manovrat që përdoren në mënyrë të vazhdueshme nga ajo për të krijuar këto elementët e spektaklit dhe për të marrë pas vetes njerëz, figura, personalitete të cilët në një farë mënyre do ta legjitimojnë ose do t’i pastrojnë fytyrën kësaj qeverisjeje kaq të korruptuar.
Në këtë aspekt mendoj thellë-thellë tani që besoj se çdo njeri që merr pjesë në atë samit, thellë-thellë ia bën pyetjen vetes se cili është pozicioni im këtu dhe çfarë kompromisi po bëj unë në një moment të caktuar.
Dhe nuk ka nevojë të kesh as paleta të mëdha akademike apo arritje të mëdha. Mjafton të jesh një njeri i thjeshtë që ke jetuar në Perëndim, në bazë të disa standardeve të caktuara, për ta parë se në fakt ajo që bëhet nuk është një kontribut për Shqipërinë. Pra, prezenca jonë aty nuk është një kontribut për Shqipërinë, por, përkundrazi, është një legjitimim që i bëjmë një pushteti, një pushteti të korruptuar flas.
Në këtë aspekt besoj se ka një konglomerat arsyesh pse njerëzit mund të ndodhen aty, por ajo që është e rëndësishme është që në këtë moment askush nuk mund ta gënjejë më veten. Asocimi me figura të korruptuara është një shërbim që u jepet këtyre figurave.
Unë nuk mendoj që thellë-thellë kjo diasporë nuk e di se cili është pozicioni i vet tashmë. Duke lënë mënjanë ndoshta një përqindje të vogël që vërtet ndoshta me naivitet mendojnë se duke qenë prezent mund të kontribuojnë në një farë mënyre, nëpërmjet kanaleve zyrtare, pjesa tjetër besoj janë të gjithë të tërhequr nga disa elementë njerëzorë, siç mund të jenë kudo, sepse ne ndoshta në një farë mënyre edhe si kulturë e mitizojmë pak diasporën, duke menduar që, duke qenë se janë të shkëputur, janë, si të thuash, të vaksinuar nga disa ndjenja të zakonshme, siç mund të jetë dëshira për t’u mikluar, për të qenë afër pushtetit, për t’u bërë i dukshëm e të tjera.
Besoj se çdo njeri që jeton në diasporë, duke qenë se, siç thashë më përpara, jeton në një vend që mendohet më i zhvilluar nga ana e standardeve sesa Shqipëria, në vendet perëndimore flas, duhet t’i bëjë të qartë vetes që është përfaqësues aty jo thjesht si një shqiptar që po vjen i përmalluar në vendin e vet, por sjell me vete gjithë eksperiencën e vet si qytetar evropian ose më tej.
Dhe kërkesat e vetme, sepse shoh herë pas here nga diaspora që i kërkohet qeverisë të bëjë këtë apo të bashkëpunojë për një kauzë apo projekt të caktuar, kërkesat e vetme që duhet të bëjë diaspora në këtë moment janë kërkesat për llogari, jo kërkesa për favore apo për shërbime.
Çfarë kërkojmë ne nga një qeveri e tillë? Çfarë i kërkohet një kryeministri që e ka treguar veten se në çfarë modeli qeverisës dhe njerëzor hyn? Si ka mundësi që ne presim që ai të zgjidhë problemet tona, kur ai ka përkeqësuar problemet e njerëzve tanë në Shqipëri?
Ne që jemi në diasporë, mendoj, flas edhe për të tjerët tani, kjo është eksperienca ime dhe nga miq të tjerë që kam folur, kemi probleme të mëdha me sigurinë për njerëzit tanë aty. Nuk dimë në çfarë spitalesh përfundojnë prindërit tanë derisa e pësojmë vetë. Nuk dimë çfarë shërbimesh marrin ata. Pra, nuk kanë asnjë siguri nga ana e shërbimeve.
Këto të gjitha sjellin kosto që i paguan edhe diaspora: shërbime jashtë shtetit për prindërit, për të mos folur për remitancat tona, të cilat janë zhvlerësuar për shkak të ekonomisë informale dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Në momentin që hyn në Shqipëri, fuqia blerëse e çdo paraje që sjellim bie ndjeshëm.
Kështu që të gjitha këto janë elemente që diaspora nuk duhet t’i kalojë përtej kënaqësisë personale apo nostalgjisë, por t’i shohë si standarde për atë që ofron dhe për kërkesat që ka në emër të njerëzve të vet.
Unë, ç’është e drejta, Adi, mendoj se Shqipëria duhet parë si një i sëmurë që ka nevojë për ndihmë, jo si diçka ku diaspora vjen për të kërkuar shërbime për veten, për t’u përfaqësuar apo për t’u dukur diku.