Mascherano largohet nga Inter Miami, dorëheqje për arsye personale

Javier Mascherano ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të Inter Miamit, duke e mbyllur aventurën e tij në SHBA për arsye personale.

Në një komunikatë zyrtare të klubit, tekniku argjentinas konfirmoi vendimin e tij, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen gjatë kësaj periudhe. “Dëshiroj t’i informoj të gjithë se, për arsye personale, kam vendosur të përfundoj detyrën time si trajner i Inter Miamit. Dua të falënderoj klubin për besimin, stafin për përkushtimin dhe mbi të gjitha lojtarët, që na dhuruan momente të paharrueshme”, u shpreh Mascherano.

Ai nuk harroi as tifozët, duke i cilësuar si pjesë thelbësore të suksesit. “Faleminderit edhe për tifozët, sepse asgjë nuk do të ishte e mundur pa ta. Do të mbaj gjithmonë me vete kujtimin e ‘yllit’ tonë të parë dhe do t’i uroj klubit suksese në të ardhmen”, shtoi ai.

Gjatë drejtimit të tij, Mascherano arriti rezultate të rëndësishme me skuadrën ku aktivizohet edhe Lionel Messi, duke fituar dy trofe, mes tyre edhe një sukses historik në Major League Soccer, si dhe duke siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e ri për Klube.

Largimi i tij vjen si një surprizë, duke lënë të hapur çështjen e pasuesit dhe drejtimit të ardhshëm të Inter Miamit, që synon të vazhdojë rrugën e suksesit edhe në vitet në vijim.