EMRAT/ Banda shqiptare në Britani zgjidhte objektivat për grabitje, përmes faqeve online të shitjes së banesave

Një grup kriminal me origjinë nga Shqipëria është dënuar në Mbretëria e Bashkuar pasi realizoi dhjetëra vjedhje me vlerë të lartë në banesa, duke përdorur platforma online për të zgjedhur objektivat.

The Guardian shkruan se, sipas autoriteteve, banda kreu rreth 60 grabitje në zona të ndryshme të vendit, duke përfituar afro 1 milion paund në sende me vlerë, përfshirë ora luksoze, çanta dizajni dhe para cash.

Hetimet zbuluan se autorët përdornin ‘Rightmove’ për të parë planimetrinë e banesave, pasi më herët identifikonin zonat e pasura përmes kërkimeve në Google. Ata hynin kryesisht nga dritaret ose ballkonet e kateve të para për të shmangur alarmet.

Katër prej anëtarëve të grupit, Kristian Gropcaj, George Pepa, Krisjian Dedndreaj dhe Sidorjan Lleshi, u dënuan nga Chester Croën Court me dënime që variojnë nga 9 deri në 10 vite e 9 muaj burg.

Ndërkohë, Endrit Nikolli pritet të dënohet në një fazë të mëvonshme, ndërsa partnerja e tij, një shtetase britanike, mori një dënim me kusht për përfshirje në posedim pasurie kriminale.

Hetimi nisi në tetor 2024 nga Cheshire Constabulary, pas një serie grabitjesh në zona si Macclesfield, Prestbury dhe Weston. Më pas, përmes bashkëpunimit me disa polici të tjera rajonale, u arrit të lidhen rastet në të gjithë vendin.

Një provë kyçe ishte gjurma e një atleteje të markës Primark, e gjetur në disa skena krimi, e cila ndihmoi në identifikimin e autorëve. Po ashtu, ADN-ja dhe të dhënat telefonike çuan në zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi çanta luksoze, ora me vlerë mijëra paund, telefona dhe qindra foto të sendeve të vjedhura, si dhe mesazhe që tregonin planifikimin e grabitjeve.

Sipas prokurorisë, grupi kishte objektiva javore për sasinë e arit që duhej të vidhnin dhe në disa raste pozonin me sendet e vjedhura. Ata janë lidhur me grabitje në disa qarqe të Anglisë, përfshirë Derbyshire, Nottinghamshire, Birmingham dhe Staffordshire.

Gjykata theksoi se veprimet e tyre kanë shkaktuar pasoja të rënda psikologjike te viktimat, duke u marrë ndjenjën e sigurisë në shtëpitë e tyre.

 ‘Ju u keni marrë diçka që nuk zëvendësohet, sigurinë në shtëpinë e tyre,’ u shpreh gjyqtari gjatë dhënies së vendimit.