Diaspora Shkodrane bojkoton Samitin e Diasporës: Nuk ofron zgjidhje, por vetëm propagandë
Diaspora Shkodrane ka reaguar publikisht duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës të organizuar nga qeveria shqiptare, duke e cilësuar atë si një aktivitet pa vlerë reale për shqiptarët jashtë vendit.
Në një deklaratë zyrtare Taulant Omi nga Londra, thekson se, sipas Këshillit drejtues të kësaj organizate, ky samit nuk adreson problemet konkrete të diasporës, por mbetet në nivelin e takimeve ceremoniale. Sipas tyre, shqiptarët jashtë vendit kanë nevojë për politika konkrete dhe mbështetje reale nga shteti amë, veçanërisht për çështje që lidhen me integrimin në vendet ku jetojnë dhe ruajtjen e lidhjeve me Shqipërinë.
Në deklaratë, përgjegjës për situatën aktuale cilësohet edhe drejtimi politik i vendit, duke u theksuar se emigrimi masiv i shqiptarëve është pasojë e keqqeverisjes ndër vite.
Po ashtu, organizata shpreh shqetësimin për përçarjet politike që, sipas saj, janë reflektuar edhe brenda diasporës, duke ndikuar negativisht në unitetin e komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Deklarata e plotë:
Drejtuar shqiptarëve të ndershëm
Diaspora shkodrane nuk e shikoj të arsyeshme të merrte pjesë në Samitin e Diasporës të organizuar nga kryeministri i cili është përgjegjës i largimit masiv të shqiptarëve.
Ne i bashkohemi shumë organizatave që mohuan këtë samit turpi dhe nuk e shikojmë diçka me vlerë për diasporen e cila ka nevojë për zgjidhje konkrete se sa këto takime ceremoniale.
Sfidat tona janë ato që një shtet amë duhet të na mbështes ti zgjidhim në vendet ku ne jetojmë, këto nuk janë të pakta duke pa se shumë persona po vuajnë integrimin në shtetet ku jetojnë, shumë persona po shesin çdo pasuri në Shqipëri për një jetë më të mirë dhe të ardhmen e fëmijëve tonë.
Ky Samit i turpit vetëm sa poshtëron më shumë shqiptarët kur shikojmë se një pjesë e jona merr pjesë duke tregu se edhe në diasporë vepron politika ndarëse mes nesh si të majtë apo të djathtë.
Ne do të ishim shumë të lumtur të ishim pjesë të takimeve të tilla ku të vlerësoheshim si kontribues të shtetin tonë që mjerisht drejtohet nga politikanë të pa përgjegjshëm dhe të korruptuar.
Këshilli drejtues i Diasporës Shkodrane
Luton, Angli më 14 Prill 2026