Kurti: Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e organizuar në shënim të Ditës Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale të Luftës “Ma kthe dritën”, se dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se nuk do të lejohet që sakrifica e vuajtjeve të shpërfillet dhe se do të kërkojmë drejtësi pa u ndalur.

“Dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998–1999”, tha Kurti.

Ai kujtoi se pas më shumë se dy dekadash pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021 u shënua një hap drejt drejtësisë me dënimin e parë për këtë kategori krimesh, duke përmendur rastin e Zoran Vukotiq, i dënuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri.

Sipas tij, viteve të fundit është rritur numri i gjykimeve dhe dënimeve për krimet e luftës, të cilat nuk parashkruhen dhe nuk falen, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës kanë mundësuar edhe gjykimin në mungesë.

Megjithatë, ai vlerësoi se numri i dënimeve mbetet ende i ulët krahasuar me përmasat e krimeve. Kurti theksoi se këto krime kanë lënë pasoja të rënda dhe afatgjata, duke prekur jo vetëm të mbijetuarit dhe familjet e tyre, por edhe brezat e ardhshëm përmes traumës së vazhdueshme.

Ai kritikoi gjithashtu institucionet në Serbi, duke thënë se, ndërsa Kuvendi i Kosovës nderon viktimat, Kuvendi i Serbisë së fundmi ka promovuar narrativa që shtrembërojnë të vërtetën dhe glorifikojnë njësi përgjegjëse për krime lufte.

"Serbia vazhdon të shërbejë si strehë për fshehjen e kriminelëve dhe mohimin e krimit. Sot Kuvendi ynë i Republikës së Kosovës nderon viktimat e dhunës seksuale të përdorur si armë lufte, e Kuvendi i Serbisë pak ditë më parë u shndërrua në hapësirë për falsifikim institucional të së vërtetës dhe glorifikim të njësive përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë. Atje u organizua ekspozitë për njësitë e ushtrisë jugosllave dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe, komandantët më të lartë të të cilave janë dënuar për krime kundër njerëzimit në Kosovë gjatë vitit 1999, duke mos u distancuar nga e kaluara e saj kriminale”, tha Kurti./ RTK.