Arteta ndez atmosferën para Sportingut: Pa frikë, dua ‘zjarr’ në tribuna!
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka dhënë një mesazh të fortë në prag të sfidës vendimtare të UEFA Champions League ndaj Sportingut të Lisbonës, duke kërkuar mbështetje maksimale nga tifozët në “Emirates”.
Tekniku spanjoll kërkoi një atmosferë të zjarrtë në stadium: “Zero frikë. Dua zjarr të pastër në tribuna. Edhe unë jam ‘on fire’”, u shpreh ai, duke ndezur entuziazmin para një ndeshjeje që mund të përcaktojë sezonin e londinezëve.
Arteta u ndal edhe te humbja e fundit ndaj Bournemouth-it, duke theksuar se ajo tashmë i përket së kaluarës. “Ishte një zhgënjim i madh, sidomos në shtëpi, por ajo që po ndërtojmë është komplekse dhe kërkon të përballesh edhe me momente të tilla”, deklaroi ai. Sipas tij, fokusi tani është plotësisht te Evropa: “Objektivi ynë është të arrijmë në gjysmëfinale. Nuk ka vend për të menduar për fundjavën”.
Duke folur për kundërshtarin, Arteta vlerësoi punën e trajnerit Rui Borges dhe cilësitë e skuadrës portugeze. “Nuk jam i surprizuar nga cilësia e tyre. Janë të organizuar, bëjnë presion dhe duan të dominojnë lojën. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, tha ai, duke shtuar megjithatë se Arsenali do të bëjë gjithçka për të fituar.
Në fund, ai iu drejtua tifozëve me tone emocionuese: “Pa frikë, zjarr i pastër. Jepni gjithçka, sepse është një mundësi e jashtëzakonshme. Kjo është bukuria e futbollit. Kemi punuar shumë për të arritur këtu dhe duam ta bëjmë për të gjithë ata që na kanë mbështetur”.
Arteta përfundoi duke theksuar edhe rritjen e klubit: “Tani është normale të luftojmë për trofe në prill. Kjo është pozitive, por edhe shumë e vështirë. Sa më lart të ngjitesh, aq më e komplikuar bëhet rruga”.