Mbappé: Të luash për Real Madridin është si një dhuratë nga qielli
Sulmuesi francez, Kylian Mbappé, ka rikonfirmuar dashurinë e tij për Real Madridin, duke e cilësuar eksperiencën me klubin madrilen si realizimin e një ëndrre të fëmijërisë.
Në një intervistë për revistën GQ Spain, të publikuar këtë të martë, 27-vjeçari foli në një moment delikat, pasi është përballur me kritika nga mediat dhe tifozët në Spanjë, kryesisht për mungesë të angazhimit në fazën mbrojtëse.
Megjithatë, Mbappé nuk ka kursyer fjalët pozitive për klubin ku po zhvillon sezonin e tij të dytë. “Për mua, të luash te Real Madridi është si një dhuratë nga qielli. Të kesh mundësinë të jetosh pasionin tënd, të luash ndeshjet më të mëdha dhe të jesh pjesë e klubit më të mirë në botë”, u shpreh ai.
Pavarësisht kritikave të fundit, ‘ylli’ francez theksoi kënaqësinë që ndien në fushë dhe emocionet që i jep kampionati spanjoll. “Më pëlqen të jem në fushë dhe të ndiej sikur luaj në tapetin më të mirë në botë, në një vend që, nga pikëpamja futbollistike, është ndër më të mirët”, shtoi Mbappé.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë ku ai dhe disa prej bashkëlojtarëve të tij janë vënë në shënjestër të kritikave, por sulmuesi duket i vendosur të vazhdojë me përkushtim aventurën e tij te gjiganti madrilen.