VIDEO/ Cara: Zjarri në ‘Farmacia 10’ u përhap nga kati i parë në të fundit, dëme të mëdha
Drejtori i zjarrfikëses, Arben Cara, ka dhënë detaje mbi zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu pasditen e sotme në një pallat në zonën e ‘Farmacisë 10’ në Tiranë.
Cara bëri të ditur se flakët janë lokalizuar dhe situata është vendosur nën kontroll, por theksoi se është ende herët për të deklaruar shuarjen e plotë të zjarrit. Sipas tij në operacion janë angazhuar mbi 50 efektivë zjarrfikës nga Bashkia e Tiranës, si dhe forca mbështetëse nga Vora, Kamza dhe strukturat zjarrfikëse të ushtrisë.
I pyetur mbi dëmet, ai tha se ende nuk ka një bilanc përfundimtar për numrin e apartamenteve të dëmtuara. Megjithatë, konfirmoi se zjarri ka përfshirë të gjithë seksionin verilindor të kompleksit, nga kati i parë deri në katet e sipërme.
‘Kemi bërë lokalizimin e flakëve, që tashmë e kemi nën kontroll. Është akoma shumë shpejt për të thënë që zjarri është fikur pasi po punohet në të gjitha drejtimet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave.
Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që mos përhapet në kullat përreth, siç edhe ju e shikoni. Tirana është angazhuar e gjitha, me të gjitha kapacitetet e plota të zjarrfikëseve, mbi 50 zjarrfikës, qenë nga Bashkia e Tiranës.
Kemi zjarrfikës nga Vora, të angazhuar bashkë me mjetet e tyre, nga Kamza, zjarrfikësit e ushtrisë i kemi këtu, që do flasi vetë drejtori për kapacitetet e tyre.
Në orën 16:52 minuta nga salla e policisë, ne kemi marrë lajmërimin për një zjarr në këtë kompleks dhe në fakt, pas, unë kam komunikuar drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, Ministrin e Brendshëm, ku kemi bërë të mundur dhe angazhimin e forcave që tashmë, siç edhe ju e shikoni, po punojnë intensivisht për lokalizimin e plotë të vatrave të zjarrit.
Pyetje: Sa apartamente janë shkrumbuar?
Nuk mund të flasim për se sa apartamente janë shkrumbuar pasi do të bëhet një bilanc më vonë, por mund të themi që zjarri ka bërë, ka përfshirë të gjithë seksionin nga verilindja, nga kati i parë deri në katin e fundit. Pra, është përfshirë i gjithë nga ana verilindore e kompleksit’, tha drejtori i përgjithshëm i zjarrfiksëve Arben Cara për mediat nga ‘Farmacia 10’.