Garnacho në krizë te Chelsea, pendohet për largimin nga Manchester United
Alejandro Garnacho po kalon një moment të vështirë në karrierën e tij, ndërsa e ardhmja te Chelsea mbetet e paqartë. Sulmuesi anësor ka fshirë çdo përmbajtje që lidhej me klubin londinez nga rrjetet sociale, një veprim që ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi situatën e tij në “Stamford Bridge”.
Ky reagim vjen pak kohë pasi Garnacho pranoi publikisht se pendohet për largimin nga Manchester United, klub ku u formua dhe u bë i njohur. 21-vjeçari, për të cilin Chelsea pagoi rreth 50 milionë euro, nuk ka arritur të jetë protagonist këtë sezon, duke u aktivizuar në 38 ndeshje, por vetëm 14 herë si titullar në Premier League.
Nën drejtimin e trajnerëve si Enzo Maresca dhe Liam Rosenior, ai ka pasur një rol dytësor, çka ka ndikuar në pakënaqësinë e tij. Madje, mediat angleze raportojnë se Garnacho mund të jetë pjesë e listës së lojtarëve që Chelsea do të nxjerrë në merkato.
Në një intervistë të fundit, lojtari foli hapur për ndjenjat e tij ndaj United: “Ndoshta po, pendohem, sepse e doja atë klub. Më dhanë besim që në fillim dhe më rritën si lojtar. Ishin vite të jashtëzakonshme”.
Ai pranoi gjithashtu se qëndrimi i tij ndikoi në rënien e formës: “Në muajt e fundit nuk po luaja si më parë dhe fillova të qëndroja në stol. Në mendjen time doja të luaja çdo ndeshje dhe ndoshta kam bërë disa gabime”.
Megjithatë, Garnacho theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj Chelsea-t dhe nuk ka hatërmbetje: “Jam krenar që jam këtu. Jeta vazhdon”.
Pavarësisht kontratës deri në vitin 2032, e ardhmja e tij është në dyshim, ndërsa klubi mund të marrë masa disiplinore për sjelljen e tij në rrjetet sociale.