Zyrtare/ Andoni Iraola largohet nga Bournemouth në fund të sezonit
Andoni Iraola nuk do të jetë më trajner i Bournemouth-it pas përfundimit të sezonit 2025-2026. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga klubi anglez, i cili njoftoi se tekniku spanjoll do të mbyllë një kapitull të suksesshëm trevjeçar në “Vitality Stadium”.
Në deklaratën e klubit, Iraola vlerësohet për rolin kyç në ndërtimin e identitetit të skuadrës në Premier League, duke fituar respekt për stilin e tij modern të lojës dhe për zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë.
Pas 15 muajsh negociatash për rinovimin e kontratës, që skadon më 30 qershor, trajneri vendosi të mos vazhdojë më tej aventurën në Angli. Megjithatë, ndarja mes palëve ka qenë plot respekt, me klubin që i uroi suksese në të ardhmen atij dhe familjes së tij.
Gjatë drejtimit të Iraolës, Bournemouth-i arriti rezultate historike. Në sezonin e parë përfundoi në vendin e 12-të me rekord pikësh, ndërsa një vit më pas u rendit i nënti, pozicioni më i mirë në historinë e klubit në elitën angleze. Edhe këtë sezon skuadra ka qenë konkurruese, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim historik në Evropë.
Nën drejtimin e tij, Bournemouth u shndërrua në një “vrasës gjigantësh”, duke mposhtur skuadra të mëdha si Arsenal, Manchester United, Manchester City dhe Liverpool.
Tashmë e ardhmja e trajnerit spanjoll mbetet e hapur, me interes të madh nga disa klube në Angli dhe Spanjë. Ndërkohë, Bournemouth do të duhet të nisë kërkimet për një pasues, duke synuar të ruajë nivelin e lartë të arritur në vitet e fundit.