UEFA refuzon ankesën e Barcelonës për rastin e Pubill, protesta shpallet e papranueshme
UEFA ka hedhur poshtë ankesën e Barcelonës lidhur me një episod të diskutueshëm në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Atletico Madridin.
Pak orë para sfidës së kthimit, organi drejtues i futbollit evropian bëri të ditur se protesta e klubit katalanas është shpallur “e papranueshme” nga Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës. Barcelona kishte paraqitur ankesë më 9 prill, duke kundërshtuar vendimin e arbitrit për të mos akorduar penallti pas një rasti të dyshimtë për prekje me dorë.
Episodi ndodhi gjatë humbjes 2-0 në “Camp Nou”, ku mbrojtësi i Atleticos, Marc Pubill, preku topin me dorë pas një aksioni që nisi nga portieri. Sipas Barcelonës, kjo situatë kishte ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhën dhe rezultatin e ndeshjes.
Klubi katalanas gjithashtu shprehu pakënaqësi për mungesën e ndërhyrjes së sistemit VAR, i cili nuk sinjalizoi arbitrin Istvan Kovacs për të rishikuar rastin.
Megjithatë, UEFA mbeti e palëkundur në vendimin e saj, duke mbyllur përfundimisht këtë çështje dhe duke lënë Barcelonën të fokusohet te përmbysja në ndeshjen e kthimit. Në këtë sfidë vendimtare, skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flick do të kërkojë të rikuperojë disavantazhin dhe të mbajë gjallë shpresat për kualifikim.