Formula 1/ Mercedesi po mendon të ketë një pilote femër

Pas më shumë se tri dekadash mungesë, një pilote femër mund të rikthehet në elitën e Formula 1.

Skuadra gjermane Mercedes AMG Petronas Formula One Team po shqyrton seriozisht mundësinë për t’i dhënë një shans talentes franceze Doriane Pin.

Herën e fundit që një grua mori pjesë në një garë zyrtare të këtij kampionati ishte në vitin 1992, kur Giovanna Amati garoi me Brabham në disa Çmime të Mëdha, duke hyrë në histori.

Që prej atëherë, Formula 1 ka mbetur një arenë ekskluzivisht mashkullore në pistë.

Tani, 22-vjeçarja Pin mund të ndërpresë këtë “thatësirë”, pasi do të marrë pjesë në teste private me Mercedes.

Ajo është pjesë e akademisë së të rinjve të ekipit dhe kampione e F1 Academy, duke u konsideruar si një nga talentet më premtuese në motorsportin evropian.

Përveç lidhjes me Mercedes, Pin ka edhe një kontratë me Peugeot dhe është e përfshirë në projekte zhvillimi në garat e qëndrueshmërisë.

Ajo do të marrë pjesë gjithashtu në garën prestigjioze 24 Hours of Le Mans, një tjetër hap i rëndësishëm në karrierën e saj.

Në një intervistë për podcastin “Beyond the Grid”, ajo foli për përvojën në simulatorin e Mercedes: “Është shumë realistik krahasuar me njëvendëshen e vërtetë. Nuk e kam drejtuar ende, por mendoj se do të kem mundësinë këtë vit”.

Fakti që Mercedesi e ka përfshirë në simulator tregon besimin që skuadra ka te potenciali i saj.

Edhe pse kalimi në Formula 1 mbetet një sfidë e vështirë, vetë pilotja është e qartë për ambicien e saj: “Objektivi im është të hyj në Formula 1”.

Nëse kjo do të ndodhë, Doriane Pin mund të bëhet pionierja që rikthen gratë në majën e motorsportit botëror.