Roberto Saviano: Jeta ime është e tmerrshme. Shpeshherë do të doja që mafia të më vriste
"Jam i zemëruar që nuk më kanë vrarë. Por mbi të gjitha jam i zemëruar me veten që u futa në këtë situatë." Roberto Saviano është, siç e thotë edhe vetë, i zemëruar.
Njëzet vjet pasi shkroi Gomorra, Saviano vazhdon të vuajë pasojat. Në vitin 2006, ky libër që zbulonte mafian napolitane, Kamorrën, u bë bestseller, me rreth 12 milionë kopje të shitura në gjithë botën. Nga ai u bë edhe film dhe serial me të njëjtin emër.
Por për Savianon, suksesi solli rrezik. Sa më i famshëm u bë libri, aq më shumë u zemëruan bosët e Kamorrës. Ai u detyrua të fshihej dhe prej dy dekadash jeton kështu. Sot, në moshën 46-vjeçare, ai ruhet 24 orë nga policia dhe lëviz vazhdimisht nga një vend në tjetrin që të mos zbulohet.
"Fle në kazerma policie ose në hotele," thotë ai, "rrallë më shumë se disa net në të njëjtin vend." Përdor qetësues për t'u çlodhur. Nuk zgjedh vetë ku qëndron. "Dhomat zakonisht janë të errëta dhe të vogla. Do të doja një ballkon ose verandë, por…" dhe nuk e përfundon fjalinë.
Edhe kjo intervistë bëhet në Zoom, nga një vend i panjohur. "Gjërat që për të tjerët janë normale, si një shëtitje apo një birrë me miqtë, për mua nuk ekzistojnë." Nuk mund të shkojë as të shohë ekipin e tij të zemrës, Napolin.
"Jetoj një lloj gjysmë-jete, as i gjallë, as i vdekur," thotë ai. Sipas tij, Kamorra e di që dënimi më i keq për të nuk është vdekja, por kjo jetë e kufizuar.
"Shpesh mendoj: Ju lutem, ose më vrisni, ose më lini të jetoj i lirë."
Megjithatë, pavarësisht çmimit të madh që ka paguar, Saviano është sulmuar edhe politikisht. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka akuzuar se përfiton nga qëndrimi kundër mafias. Ai, nga ana tjetër, e ka kritikuar atë për politika autoritare. Madje një herë e quajti me një fjalë fyese për qëndrimin e saj ndaj emigrantëve, dhe në vitin 2023 u gjobit nga një gjykatë në Romë.
Edhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka kërcënuar herë pas here t'i heqë mbrojtjen policore. "Nuk është sjellje normale," thotë Saviano, "por jam mësuar."
Ai beson se pushteti i vërtetë në Itali nuk është vetëm te politika, por edhe te mafia. Kamorra dhe grupe të tjera si 'Ndrangheta nuk merren vetëm me krime, por kanë ndikim edhe në industri të ndryshme, nga ilaçet te moda.
Kjo e kthen bisedën te pendesa e tij. A pendohet që shkroi Gomorra?
"Po, absolutisht. Ishte një naivitet rinor të mendoja se mund të ndryshoja shoqërinë. Kisha edhe ambicie dhe kënaqësinë që lexohej ajo që shkruaja.
Por në fund, vetëm sa ekspozova veten. Nuk ia vlejti vuajtja. Po të kthehesha pas, do të shkruaja një libër tjetër. Ndoshta një komedi. Ose të paktën do t'i ndryshoja emrat."
Saviano nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë. Marrëdhëniet romantike janë pothuajse të pamundura. Edhe miqësitë janë të vështira. Ai është gjithmonë i rrethuar nga roje sigurie, shtatë në çdo moment, por ndryshojnë shpesh dhe nuk krijon lidhje me ta.
Një person që e kupton mirë është shkrimtari Salman Rushdie, i cili jetoi për vite në fshehje pas një kërcënimi me vdekje. Ata u takuan në vitin 2008 dhe sot janë miq. Rushdie tani jeton i lirë, megjithëse i mbijetoi një sulmi me thikë në vitin 2022. "E admiroj humorin dhe dashurinë për jetën që ai ka," thotë Saviano.
Sa për familjen, prindërit e tij janë larguar nga zona e Napolit për siguri. Ai i takon rrallë. "Pjesa më e dhimbshme është ajo që u kam bërë familjarëve të mi."
Tezja e tij, Silvana, vdiq në vitin 2025, larg njerëzve të saj. Në funeral ishin shumë pak veta. "Ndjeva faj të madh. Ajo pagoi një çmim të rëndë për veprimet e mia."
A mendon se do të shpëtojë ndonjëherë nga kjo jetë? "Nuk besoj. Kjo lidhje me mafian do të jetë gjithmonë aty."
Megjithatë, ai vazhdon të punojë si gazetar dhe komentues. Ka edhe një kanal në YouTube dhe shfaqet në televizion, gjithmonë nën masa të rrepta sigurie. Para çdo daljeje publike, kontrollohet çdo detaj.
Përndryshe, për shkak të kufizimeve në lëvizje, Saviano ka shumë kohë për të shkruar. Libri i ri për të cilin po flasim, Gridalo, është i nënti i tij. Në thelb, është një thirrje që njerëzit e zakonshëm të bashkohen përballë padrejtësisë.
Libri përdor shembuj të njohur nga historia për të treguar si duhet të veprojmë në situata të ndryshme dhe çfarë rreziqesh të kemi parasysh. Për shembull, një kapitull flet për fushatën e shpifjeve të FBI-së kundër Martin Luther King Jr në vitet 1960. Saviano thotë se duhet gjithmonë të shohim kush qëndron pas sulmeve të tilla dhe pse i bëjnë. (Lexuesit mund të shohin këtu një lidhje me përvojën e vetë autorit me sulmet politike.)
Gridaloështë një libër interesant. Në pamje të parë duket optimist, sepse Saviano u jep këshilla brezave të rinj se si ta bëjnë shoqërinë më të mirë. Por shpejt vëren një pesimizëm të thellë. Nga filozofja e vrarë Hypatia në Aleksandri, te propagandisti nazist Jozef Gëbels; nga mendimtari i Rilindjes Giordano Bruno (i djegur në turrë nga Inkuizicioni) te gazetari ruandez Kantano Habimana (që nxiti gjenocidin e vitit 1994), Saviano flet për figura që kanë pësuar ose kanë shkaktuar padrejtësi. Libri përfshin shekuj të tërë dhe nuk jep shumë shenja se bota po përmirësohet.
Madje, ndoshta po përkeqësohet. Të paktën kështu duket nga biseda jonë. Ai thotë se tregtia e drogës, tema e librit të tij të vitit 2013 Zero Zero Zero, është "më e fortë se kurrë", sepse kriptomonedhat e bëjnë më të lehtë fshehjen e parave. Organizatat kriminale kanë aq shumë para në ekonominë globale sa "asnjë politikan nuk di si t'i ndalë". Sipas tij, njerëzit janë më të interesuar të shohin serialet e tyre në Netflix sesa të përballen me të vërtetat e mëdha të botës.
Po lumturia e tij personale? Gjatë gjithë bisedës, ai pi puro, një nga kënaqësitë e pakta që i lejohen. Një tjetër është ushqimi i tij i preferuar, mocarela e buallit me bukë napolitane, të cilën rojet ia sigurojnë shpeshherë.
Po planet më të mëdha? Gjatë kërkimeve për Zero Zero Zero, Saviano u zhvendos në Nju Jork dhe jetoi me një identitet të ri, por u kthye më herët në Itali, sepse njerëzit e njihnin gjithsesi.
"Dua të largohem përsëri," thotë ai, "por kësaj here siç duhet. Ëndrra është të shkoj diku dhe ta ndryshoj plotësisht jetën time.
"Problemi është se, nëse ndaloj së treguari historinë time, kundërshtarët e mi do të kenë fituar." / The Telegraph – Syri.net