'Kriza e çmimeve po godet çdo familje’/ Bylykbashi: Qeveria të pezullojë taksat mbi karburantin deri në...
Në Komisionin e Ligjeve, ku po diskutohej projektligji për çmimin e karburantit, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi se rritja e çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera bazë po rëndon ndjeshëm mbi qytetarët dhe se një pjesë e kësaj rritjeje lidhet me taksat mbi karburantin.
Bylykbashi u shpreh se krahasuar me vitin 2012, kur çmimi i naftës ishte rreth 140 lekë për litër, aktualisht ai ka arritur rreth 220 lekë për litër, duke theksuar se kjo situatë ka përkeqësuar fuqinë blerëse të qytetarëve. Ai argumentoi se ndryshimet në çmim nuk lidhen vetëm me tregjet ndërkombëtare, por edhe me politikën fiskale të qeverisë.
Sipas tij, mekanizmi i transparencës së çmimit të karburantit nuk funksionon në mënyrë efektive dhe, siç tha ai, “reflekton sjellje karteli”, duke kërkuar ndërhyrje të shtetit për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët në periudha krize.
Deputeti demokrat shtoi se rritja e çmimeve ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës, duke përmendur produkte të shportës si buka, vaji dhe perimet, dhe theksoi se qytetarët, sipas tij, po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.
Ai propozoi pezullimin e përkohshëm të disa taksave mbi karburantin deri në stabilizimin e situatës, duke e cilësuar këtë si një masë të nevojshme për lehtësimin e kostos së jetesës.
Bylykbashi:
Është një e dhënë që para katër ditësh pak a shumë ishte kjo gjendje, pra ka vazhduar të ndryshojë dhe të përkeqësohet. Por para katër ditësh ishte fuqia, ishin 97$. Njësoj ka qenë dhe në 2012-ën, në të njëjtën kohë. 97$. Në 2012-ën çmimi ishte 140 ALL për litër, të reja. Sot është, para katër ditësh me tani, pra ka vazhduar, është përkeqësuar situata, ishte 220 ALL për litër. Pra vetëm kaq të më kuptosh që ai kërbaçi është në kurriz të qytetarëve është taksat që qeveria ka vendosur mbi karburantin. Dhe kjo reflektohet menjëherë tek të gjithë çmimet e tjera.
Tani hajde shpjegojeni njerëzve pse ditën që kris konflikti, atë ditë rriten çmimet. Ne nuk është se morëm karburant, ishte aty ke depozitat te Durrësit, ishte gati. Sepse kanë gjetur dhe mënyrën që ta marrin jo me duke paguar para, e marrin në gjendje, vjen, pa paguar dhe paguajnë kur zhdoganohet, kompanitë. Pra çmimi reflekton momentin. Dhe në atë moment kur kishte plasur, ende s'kishte ndodhur, rritën çmimet.
Tani, në çdo lloj qeverie e përgjegjshme, edhe pa mekanizma karteli, unë jam absolutisht dakord me atë gjë që tha zoti Korreshi, merr masa, ndërhyn për ta zbutur situatën, sepse i përgjigjet politikisht interesit jo individual, po tashmë publik, se të gjithë ata miliona shqiptarë që e kanë këtë hall përditë, që edhe kilja e domates i ka shkuar 4000 lekë të vjetra, mos flasim për të gjithë gjërat e tjera, e ndjejnë përditë. Ne flasim këtu, atyre u duket dhe si teatër, sepse situatën e kanë. Pra, ato pak lekë që marrin pensionistët, apo ata që marrin rrogën minimale, apo kushdo tjetër, po edhe ata që kanë rroga jo të këqija, kuptojnë se sa u ka rënë fuqia blerëse që ata kanë me para nëpër duar. Tani qeveria reagon. Dhe kush është propozimi? Bëjmë një moratorium deri në 2028-ën, nuk e kemi këtë, nuk paguhet kjo. I përgjigjemi asaj.
Çfarë ndodh? Dy herë rresht kemi të njëjtën sjellje. Krijojmë një mekanizëm i cili ka një emër, të paktën t'ia ndërroni për, mekanizmi i transparencës, i kujt? I transparencës së kartelit. Se është kartel i pastër. Po karteli është kur, është dhe një reflektim i asaj me, i konceptit të oligarkisë.
Oligarkia nuk është kush është më i pasur. Oligarkia është një grup njerëzish që mendojnë se janë më të mirë e më të zgjuar se të gjithë të tjerët dhe janë ata që vendosin. Dhe këta mblidhen dhe marrin vendime për të tjerët. Po tani të bësh, të bësh edhe shtetin që ka detyrimin t'i përgjigjet publikut, ta bësh pjesë të kësaj, nëpërmjet një mekanizmi që rregullon çmimet kartel dhe nuk i jep mundësinë njerëzve që të paktën ta uli, sigurisht pastaj këtu është një histori krejt tjetër, më e shëmtuar nuk bëhet dot.
Tani, a ka mundësi ky parlament të paktën t'i përgjigjet kësaj? Për një hall që kanë qytetarët, t'i përgjigjet nëpërmjet një mekanizmi i cili u, u heq këtë barrë, ua leton. është me një propozim me afat të caktuar, edhe sepse siç u shpjegua, ende nuk e dimë kur mbaron kriza. Ne e dimë që vjen nga jashtë, po mekanizmat i kemi ne në dorë. Pse Kosova s'e ka si ne? Pse s'e ka Maqedonia? Pse s'e ka Mali i Zi? E kemi ne më keq se të gjithë, për një gjë që siç e thashë shumë thjeshtë. Për të njëjtin çmim, në 2012-ën ishte shumë herë më i ulët se ç'është sot. Pra e vetmja arsye është taksa që ka ardhur nga 2013-ta këtej.
A ka mundësi t'ia thjeshtojmë qytetarëve, t'i kushtojë më pak buka, t'i kushtojë më pak sheqeri, t'i kushtojë më pak vaji, t'i kushtojë më pak domatja, çdo lloj perimi. Ata të cilët në përditshmërinë e tyre e dinë që nuk i del as të arrijnë gjysmës së muajit. Ju thoni jo. Jeni të gatshëm, unë e di shumë mirë propozimin që do të votohet kundër tashmë, po të paktën shqiptarët ta kuptojnë. Ore nuk po flasim as për ndryshime kushtetuese, as ku di unë çfarë. Nuk na intereson fare në këtë pikë. Përditshmëria e tyre s'ka lidhje fare me debate të sofistikuara. Të ndërhyjmë dhe t'i japim frymëmarrje, t'ia heqim lakun nga fyti. Pa u zgjatur më shumë, edhe njëherë përsëris qëndrimin tonë, ne mbështesim totalisht propozimin për pezullimin e plotë deri në periudhën e parashikuar në projektpropozim të taksave siç është paraqitur nga kolegët. Faleminderit.