Korreshi: Qeveria po rëndon xhepat e qytetarëve me politika fiskale

Në një diskutim në komisionin parlamentar, deputetë të opozitës kanë ngritur akuza ndaj qeverisë për menaxhimin e çmimit të karburanteve dhe tarifën e Rrugës së Kombit, duke i cilësuar ato si mekanizma që rëndojnë padrejtësisht mbi xhepat e qytetarëve.

Një nga pikat kryesore të debatit ishte tarifa e kalimit në Rrugën e Kombit.  Sipas deputeteti të opozitës Saimir Korreshi, qytetarët po përballen me një zinxhir taksash, duke filluar nga taksa e naftës, taksa vjetore e qarkullimit dhe së fundmi, tarifa e traut.

Problemi kryesor i ngritur nga deputeti opozitar ishte kursi fiks i këmbimit i aplikuar nga kompania koncesionare, i cili mbetet i pandryshuar në nivelin 1.4 lekë për euro, pavarësisht rënies së monedhës europiane në treg.

Ky kurs artificialisht i lartë u cilësua si një "lloj vjedhjeje" në kurriz të drejtuesve të mjeteve, të cilët detyrohen të paguajnë më shumë se vlera reale prej 5 eurosh.

Kritika u adresuan edhe për çmimin rekord të karburanteve.

U soll një shembull krahasues ku u theksua se ndërsa në vitin 2012 çmimi i një fuçie nafte në bursë ishte 97 dollarë dhe një litër naftë në Shqipëri kushtonte 140 lekë, sot me të njëjtin çmim në bursë, qytetarët paguajnë 220 lekë për litër.

Kjo diferencë drastike prej 80 lekësh iu atribuua taksave të larta të vendosura nga qeveria, të cilat u përshkruan si një "kërbaç në kurriz të qytetarëve".

Deklarata e plotë:

“Tani, ore deri këtu te rruga e kombit dhe të gjithë këto taksa për këto rrugët, duke e ditur dhe cilësinë jashtëzakonisht fenomenale të gropave, që nuk ke frikë të parakalosh se nga ana tjetër të del tjetri nga gropa dhe nuk ke mundësi. Ose do të biesh ose do të dalësh përballë nga gropa.

Tani problemi është te kjo rruga e kombit që një nga mënyrat, ne shkojmë atje thotë 5 euro, edhe pse sot 5 euro nuk bën as 5.000 lekë të vjetra, ose 500, ai të thotë po s'pate bën 6.600 lekë.

Tani ky shteti jonë meqë ne diskutuam para ca ditësh që ishte më mirë fleksibiliteti, biles kur, kur e dëgjova në i kursit të këmbimit, ishte diku në kuvend mos gaboj, ishte më e mirë se sa Maqedonia apo Mali i Zi që i kishin fiks sepse pikërisht ky fleksibilitet na mban gjallë.

Përderisa ne kemi fleksibilitet në Bankën e Shqipërisë dhe kemi zgjedhur këtë rrugë, po si ka mundësi që ne zgjedhim rrugën e Maqedonisë dhe Malit të Zi te trau i Kukësit?

Pra që nuk ndryshon, ka ngecur me 1.4.

A nuk është një lloj vjedhje se qëllon robi se duke punuar me lekë këtu dhe nuk kemi ndonjëherë euro, po do 6.600 ai. Ose 5 euro thotë.

Ky është një problem i cili duhet parë, sepse gjithë këto lekë që i merren këtyre njerëzve, po t'i bëjnë llogari qeverria jonë, po t'i kthehen, t'i hiqen atij koncesionarit dhe t'i kthehen qytetarit ajo 1.6 që konvertohet në lekë, hajde se zbut ndonjë lekë dhe litrin e naftës.

Si ka mundësi se shteti parashikon rezerva në raste emergjence. Pra të gjithë këta që shesin, që tashmë e kanë kapur tregun se nuk fut dot asgjë këtu.

Por si ka mundësi, pyetja del njëherë, a nuk e ka detyrim shteti këta 90 ditë që nga rezervat e veta të sigurojë ose këta që marrin licencë, janë të licensuar për të shitur naftë, të sigurojnë për 90 ditë një treg normal".