Dosja e Elvis Roshit bëhet hap dhe mbyll nga SPAK. Pushohet sërish çështja penale

SPAK mbyll pjesërisht dosjen ndaj ish kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, vijojnë hetimet për 5 episode "Shpërdorimi detyre".

SPAK, ka vendosur për të tretën herë mbylljen pjesërisht të dosjes penale ndaj ish kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.

SPAK ka kërkuar pushimin e hetimeve për 6 episode të dyshuara për shpërdorim detyre ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajë, Elvis Roshi, për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Megjithatë, ish-zyrtari nuk i shpëton plotësisht ndjekjes penale, pasi ndaj tij vijojnë akuzat për 5 episode të tjera të shpërdorimit të detyrës.

Çështja ndodhet aktualisht në fazën e seancës paraprake, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 28 prill.

Hetimet ndaj Roshit kanë nisur pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ngriti dyshime për parregullsi në tendera gjatë kohës kur ai drejtonte bashkinë.

Sipas auditit, bëhet fjalë për shkelje në disa procedura prokurimi publik për rikonstruksione rrugësh dhe projekte urbane në periudhën 2013–2014, ku janë konstatuar raste të skualifikimeve të padrejta të operatorëve dhe përdorim i standardeve të dyfishta në vlerësimin e ofertave.

Çështja është kaluar ndër vite në disa nivele gjyqësore, ndërsa më herët gjykata ka urdhëruar rihapjen e hetimeve.

Në vijim, SPAK ka ushtruar edhe masa hetimore ndaj Roshit, përfshirë sekuestrimin e celularit të tij në kuadër të dyshimeve të tjera që lidhen me korrupsionin në zgjedhje dhe aktivitet politik.