Fund drithërues në Premier League/ Arsenal-Manchester, titulli mund të vendoset nga diferenca e golave

Pas suksesit ndaj Chelseas, Guardiola sheh kapjen e rivalëve. Me ndeshjen e prapambetur të 22 majit dhe përballjen direkt, “Topçinjtë” rrezikojnë.

Kampionati anglez po transformohet në një sfidë, ku nuk fiton kush grumbullon më shumë pikë, por kush shënon 1 gol më shumë se të tjerët.

Fitorja e madhe e Manchester Cityt në fushën e Chelseat i ka rihapur kartat e titullit, duke e çuar skuadrën e Pep Guardiolës në kuotën e 64 pikëve.

Arsenali ka mbetur në kuotën e 70 pikëve pas humbjes në shtëpi ndaj Bournemouth.

Projeksioni matematikor tashmë lë vend për interpretim.

Nëse dy skuadrat e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, titulli vendoset nga diferenca e golave në një fotofinish, në kuotën e 85 pikëve, që do të shënonte kështu epilogun më të çmendur.

Nëse Arsenali i fiton të gjitha ndeshjet e mbetura dhe humb në sfidën direkt, do të barazohej me “Citizens”, nëse këta të fundit fitojnë ndeshjen e prapambetur ndaj Crystal Palace më 22 maj dhe marrin pikë të plota te të tjerat.

Është një skenar për “infarkt”, ku kriteri i parë në rast barazimi me pikë, është diferenca e golave (i dyti lidhet me golat e shënuar dhe në rast se ka sërish barazim, kalohet te takimet direkt).

Për momentin Arsenali është përpara me golaverazhin, +38 ndaj +35 të Cityt.

Guardiola i ka shpresat te ndeshja kundër Crystal Palace dhe mbi të gjitha te sfida direkt e 19 prillit në “Etihad”.

Atë ditë çdo gol vlen dyfish, sepse përmirëson statistikat e kampionëve në fuqi dhe njëkohësisht përkeqëson ato të londinezëve (dhe anasjelltas).

Në sfondin e kësaj beteje matematikore është edhe presioni psikologjik.

Tifozët e Arsenalit presin titullin që nga triumfi legjendar 2003-2004, ai i “Invincibles” të Arsène Wenger.

Një agjerim 22-vjeçar që rrezikon të kthehet në një matkh pikërisht në momentin më të bukur.