Hipokrizia e Ramës pasi bllokoi integrimin për Ballukun: Askush nuk është mbi ligjin (përveç bandës së tij)
Edi Rama e shfaqi hapur hipokrizinë e tij në Samitin e Diasporës, kur tha se sot për herë të parë në Shqipëri, askush nuk është mbi ligjin.
Sigurisht kjo të sjell ndërmend shprehjen e Oruellit se disa janë më të barabartë se të tjerët para ligjit, por Rama e ka bërë të qartë me vepra se ligji nuk vepron kur bëhet fjalë për bandën e tij.
Ai ka mbrojtur nga zbatimi i ligjit këdo nga rrethi i tij i ngushtë, duke nisur me Olta Xhaçkën dhe duke përfunduar me Belinda Ballukun.
Kurse për familjen e tij apo për atë vetë, as që bëhet fjalë që drejtësia të reagojë apo që ligji të zbatohet.
Rama mashtroi hapur edhe kur u tha të pranishmëve të përzgjedhur prej tij se integrimi po ecën përpara, ndërkohë që negociatat jo vetëm që janë bllokuar prej muajsh, por po përfundojnë në kalendat greke.
“Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës, që nga 1912-ta, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj, për të bërë drejtësi të barabartë, për të gjithë, pa kursyer askënd. Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë grup-kapitujt, në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe askush s’kishte kohë, besim, dhe vëmendje, për t’ju dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, dhe pasi fshihnit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes duke qenë në pritje për të qenë gati për derën kur të hapej. Në Samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot është një tryezë ku jemi të ulur bashkërisht, ballë për ballë, me ambicien për të mbyllur negociatat në 2027-ën”, tha Rama.