Fiorentina mposht Lazion, Gosens afron ‘vjollcët’ me mbijetesën

Fiorentina ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Lazios në ndeshjen që mbylli javën e 32-të të Serie A, duke bërë një hap të madh drejt sigurimit të mbijetesës.

Sfida u vendos në minutën e 28-të, kur pas një krosimi të Harrison, mbrojtësi gjerman Robin Gosens u ngrit mbi mbrojtjen dhe me një goditje me kokë të saktë, e ndihmuar edhe nga shtylla, mposhti portierin Motta, duke i dhënë avantazhin skuadrës vjollcë.

Pjesa e parë nisi me ritëm të lartë, ku Lazio provoi me Zaccagnin dhe gjeti edhe një pritje të rëndësishme të portierit De Geas, por pa arritur të konkretizonte rastet e krijuara. Pas golit të pësuar, skuadra e drejtuar nga Sarri nuk arriti të reagonte me forcën e duhur, duke u përballur me një Fiorentinë të organizuar në mbrojtje.

Fiorentina luajti pa disa titullarë të rëndësishëm si Kean, Fagioli dhe Gudmundsson, por kjo nuk ndikoi në rezultatin final. Me këtë sukses, skuadra e Vanolit ngjitet në kuotën që e mban +8 pikë mbi zonën e rënies, ku ndodhen Cremonese dhe Lecce.

Nga ana tjetër, Lazio mbetet në kuotën e 44 pikëve dhe pëson disfatë pas katër ndeshjeve pa humbje, duke lënë pas një seri pozitive që u ndërpre në Firence.