Trump: Irani do të arrijë marrëveshje! S'mund të lejojmë një vend të shantazhojë apo të zhvasë botën

Donald Trump deklaroi se Irani dëshiron “të arrijë një marrëveshje” dhe konfirmon bllokadën e Ngushticës së Hormuzit

Donald Trump tha se Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje dhe se ai nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që i lejon Teheranit të ketë armë bërthamore.

Sipas Trump, bisedimet kanë ngecur për shkak të çështjeve bërthamore dhe se ka nisur një “bllokadë” e anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Trump deklaroi se Irani “ka telefonuar këtë mëngjes” dhe se “ata do të donin të punonin për një marrëveshje”, duke shtuar se Reuters nuk ka mundur ta verifikojë menjëherë këtë pretendim.

“Irani nuk do të ketë armë bërthamore,” u tha Trump gazetarëve gjatë një konference të paplanifikuar në Shtëpinë e Bardhë të hënën. “Ne nuk mund të lejojmë që një vend të shantazhojë apo të zhvasë botën.”

I pyetur nëse tankerët e naftës do të vazhdojnë të operojnë në Ngushticën e Hormuzit, ai u përgjigj: “Po, mendoj se ata do të jenë në një gjendje shumë të mirë atje. Dhe mendoj se po shkojnë shumë mirë edhe këtu [në SHBA]. Shumë tankerë po vijnë këtu. Po vijnë bosh dhe dalin të mbushur, dhe ne kemi kapacitet të madh për t’u kujdesur për këtë biznes,” shkruan The Guardian. 

Ndërkohë CNN raporton se zyrtarët e administratës së Donald Trump po zhvillojnë diskutime të brendshme lidhur me detajet për një takim të mundshëm të dytë me Iranin, përpara se armëpushimi SHBA-Iran të përfundojë javën e ardhshme

Këto diskutime po zhvillohen në rast se krijohet një mundësi për një takim të tillë, por sipas CNN mbetet e paqartë nëse ai do të realizohet.

“Duhet të jemi të përgatitur për të organizuar diçka shpejt, nëse situata shkon në atë drejtim,” citohet të ketë thënë një burim për CNN. Zyrtarët po diskutojnë për çështje si datat dhe vendet e mundshme të takimit, si dhe ndërmjetësit, nëse negociatat do të vijojnë të bëjnë progres.

Lajmi për një takim të mundshëm vjen në një kohë kur bllokada e Donald Trump në Ngushticën e Hormuzit ka hyrë në fuqi. Kjo lëvizje rrezikon të ndërpresë një nga rrugët më të rëndësishme të tregtisë globale, si dhe të rrisë më tej çmimet e naftës.