Renditja/ Mbyllet java e 31-të, Tirana lë zonën e ftohtë, Dinamo kthehet në vendin e katërt
Ka përfunduar java e 31-të e Abissnet Superiore, e cila solli rezultate të rëndësishme në luftën për kreun dhe zonën e “Final Four”, me disa ndryshime të ndjeshme në renditje.
Në sfidën e fundit të javës, Elbasani konfirmoi formën e shkëlqyer duke mposhtur bindshëm 3-0 Partizani në “Elbasan Arena”. Me këtë fitore, skuadra verdheblu ngjitet në vendin e dytë me 56 pikë, duke u kthyer në një nga pretendentet kryesore për zonën e sipërme të tabelës.
Në krye të renditjes mbetet Vllaznia, që vazhdon formën pozitive duke fituar 1-0 ndaj Teuta. Shkodranët kryesojnë tabelën me 59 pikë dhe janë skuadra e parë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four”.
Një tjetër rezultat i rëndësishëm erdhi nga Tirana, e cila fitoi 3-1 ndaj Egnatia, duke mbajtur gjallë shpresat për përmirësim në renditje dhe duke arritur në kuotën e 31 pikëve në vendin e shtatë.
Në të njëjtën kuotë pikësh renditen edhe Vora dhe Bylis, ndërsa Flamurtari mbetet në fund të tabelës me 26 pikë.
Dy ndeshje të javës u mbyllën në barazim 1-1: Flamurtari – Vora dhe Bylis – Dinamo City, duke reflektuar një garë të fortë dhe të balancuar në mesin e tabelës.