Gvozdenovic, pas triumfit ndaj Partizanit: Ndeshje perfekte, por sezoni nuk ka mbaruar
Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, u shfaq mjaft i kënaqur pas fitores bindëse 3-0 ndaj Partizani në “Elbasan Arena”, duke e cilësuar këtë sfidë si një nga paraqitjet më të mira të skuadrës së tij.
“Sot ishte nata perfekte, nëse mund ta quaj kështu. Nuk di çfarë mund të kërkoja më shumë nga skuadra”, u shpreh Gvozdenovic, duke vlerësuar maksimalisht performancën e lojtarëve të tij.
Megjithatë, tekniku theksoi se objektivat nuk janë arritur ende dhe se skuadra duhet të qëndrojë e fokusuar deri në fund të sezonit: “Suksesi duhet të presë, kemi edhe pesë javë përpara dhe do të luftojmë deri në fund. Kemi vazhdimësi dhe një grup të fortë, ky është sekreti ynë”.
Gvozdenovic u ndal edhe te momenti kyç i ndeshjes, kartoni i kuq i hershëm, që e detyroi ekipin të ndryshonte qasje taktike: “Pas minutës së 21-të ishte shumë e vështirë të luanim me skemën 4-4-1. Partizani na sulmoi shpejt nga krahët, por e rregulluam situatën dhe më pas kapëm ritmin tonë”.
Ai shtoi se besimi i grupit ishte vendimtar për reagimin në fushë: “E kishim përgatitur këtë situatë, besimi bëri diferencën. Lojtarët bënë një ndeshje perfekte”.