Kërnaja pas humbjes me Elbasanin: Penalltia na fiku, por kundërshtari i meritoi 3 pikët
Trajneri i Partizani, Oltijon Kërnaja, analizoi humbjen e thellë 3-0 ndaj Elbasanit, duke theksuar se ndeshja mori kthesë pas penalltisë në pjesën e dytë, e cila ndikoi edhe psikologjikisht te skuadra e tij.
“Kemi bërë shumë mirë në pjesën e parë, dominuam dhe krijuam 3-4 raste të pastra para portierit. Por penalltia që u dha na fiku paksa ekipin, sidomos mënyra si u ekzekutua dy herë. Ka ndikuar nga ana psikologjike”, u shpreh Kërnaja.
Tekniku i të kuqve shtoi se skuadra u përpoq të reagonte, duke përmendur edhe rastin e artë të Doumbias për barazim: “Mund të shkonte 1-1, por duhet t’i japim meritën Elbasanit. I fitoi 3 pikët me cinizmin e tij”.
Kërnaja foli edhe për zgjedhjet taktike dhe ndryshimet në formacion, duke theksuar se skuadra kishte planifikuar të shfrytëzonte hapësirat në mesfushë: “Në pjesën e parë funksionoi, por në zonën e tretë nuk bëmë atë që duhej. Lojtarët ndonjëherë zgjedhin vetë dhe nuk i lexojnë siç duhet situatat”.
Ai mohoi se Partizani u tërhoq pas, pavarësisht vështirësive: “Nuk u mbyllëm në mbrojtje. I njihnim pikat e forta të Elbasanit te goditjet standarde dhe i menaxhuam mirë. Por pas golit të parë gjithçka ndryshoi”.
Në fund, trajneri pranoi epërsinë e kundërshtarit dhe bëri thirrje për reagim: “Statistikat flasin për Elbasanin dhe na shqetëson kjo. Ata fituan me meritë të plotë. Ne duhet të punojmë dhe të rikthehemi te fitorja që në ndeshjen e ardhshme”.