VIDEO/ Laçi shkëlqen me gol spektakolar në Turqi, Sowe vulos fitoren e Rizesporit

Mesfushori shqiptar, Qazim Laçi, vazhdon të jetë një nga protagonistët kryesorë në Süper Lig, duke dhuruar një tjetër paraqitje të shkëlqyer me fanellën e Çaykur Rizespor.

Në sfidën ndaj Gaziantep, Laçi realizoi një supergol në minutën e 79-të. Pas një rivënieje nga këndi, topi përfundoi në zonë dhe mesfushori shqiptar reagoi menjëherë me një goditje të fortë, duke e dërguar sferën në rrjetë dhe duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas.

Fitorja e Rizesporit u vulos edhe nga ish-sulmuesi i Skënderbeut, Ali Sowe, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare për të shënuar golin e dytë për skuadrën e tij.

Në fund, Rizespor triumfoi me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në vendin e tetë me 36 pikë, ndërsa Gaziantep mbetet në vendin e 11-të me 34 pikë. Një tjetër ndeshje ku Laçi konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë në skuadër.