Partizani shpërfytyrohet në pjesën e dytë, Elbasani e mposht thellë me 10 lojtarë
Elbasani ka marrë një fitore të madhe 3-0 ndaj Partizanit në ndeshjen që mbylli javën e 31-të të Abissnet Superiores. Një sfidë që mori kthesë dramatike në pjesën e dytë, pavarësisht se të kuqtë luajtën për më shumë se 70 minuta me një lojtar më shumë.
Ndeshja nisi me një episod kyç që në minutat e para. Në minutën e 21-të, kapiteni i Elbasanit, Musta, u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes si lojtar i fundit ndaj Sidibes, vendim që erdhi pas rishikimit në VAR. Megjithatë, Partizani nuk arriti ta shfrytëzonte epërsinë numerike, edhe pse krijoi disa raste me Isgandarlin dhe Human, ndërsa Totoshi u tregua vendimtar në portën e vendasve. Pjesa e parë u mbyll pa gola.
Në pjesën e dytë, gjithçka ndryshoi. Në minutën e 50-të, Elbasani fitoi një penallti pas prekjes me dorë të Isgandarlit brenda zonës. Fillimisht Qirko priti goditjen e Ze Gomesh, por arbitri urdhëroi përsëritjen e penalltisë dhe në tentativën e dytë, sulmuesi nuk gaboi, duke kaluar vendasit në avantazh në minutën e 56-të.
Elbasani vazhdoi të ishte më këmbëngulës dhe i rrezikshëm, ndërsa Partizani u shfaq i paqartë dhe pa ide, edhe pse me një lojtar më shumë. Në minutën e 87-të, Doumbia pati mundësinë më të mirë për barazim, por goditja e tij u ndal nga traversa.
Në fundin e ndeshjes, vendasit goditën sërish. Në minutën e 89-të, një kundërsulm i shpejtë u finalizua nga Tsague për 2-0, ndërsa në shtesë, në minutën 90+3’, Kasa përfitoi nga një top i fituar në mesfushë dhe vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.
Një humbje e rëndë për Partizanin, që humbet edhe vendin e katërt për shkak të golaverazhit më të dobët se Dinamo City, të dyja me nga 44 pikë. Në anën tjetër, Elbasani ngjitet në vendin e dytë, vetëm tri pikë pas Vllaznisë.