IMO, Dominguez: Asnjë vend s’ka të drejtë të bllokojë Ngushticën e Hormuzit!

Kreu i organizatës përgjegjëse për sigurinë e transportit detar global ka thënë se asnjë vend nuk ka të drejtë ligjore të bllokojë Ngushticën e Hormuzit.

Arsenio Dominguez, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), tha se ndërsa bllokada amerikane “duket të jetë shumë specifike për aksesin në portet iraniane”, ligjërisht nuk kishte asnjë bazë për ndonjë vend që të bllokonte rrugën ujore.

“Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, vendet nuk kanë të drejtë të bllokojnë një ngushticë ndërkombëtare që përdoret për lundrim ndërkombëtar”, u tha ai gazetarëve në një konferencë për shtyp në selinë e IMO-s në Londër këtë pasdite.

Dominguez tha gjithashtu se edhe pse shumë pak anije po kalonin Ngushticën para bllokadës, 'bllokimi' i fundit nga SHBA-të, "nuk ofron asnjë zgjidhje për krizën që kemi".

“20,000 detarë nuk mund të udhëtojnë tranzit. Ekonomia globale vazhdon të preket dhe derisa të adresohen shkaqet rrënjësore, të gjithë do të vuajmë prej saj”, tha ai.

“Bllokada shtesë nuk ndihmon në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.” Ai shtoi: “Do t’u kërkoja të gjithëve të luajnë sipas rregullave.”/ BBC.