Mbi 1 km radhë automjetesh në Kapshticë - Pas festimit të Pashkës, emigrantët rikthehen në Greqi

Rritet ndjeshëm fluksi i lëvizjes në pikën kufitare të Kapshticës, ku emigrantët që kaluan festat e Pashkës në Shqipëri po rikthehen drejt Greqisë.

Në orët e pasdites është krijuar një radhë e gjatë automjetesh në dalje, që arrin mbi 1 kilometër. Lëvizja paraqitet e ngadalësuar për shkak të numrit të lartë të mjeteve që po përpunohen njëkohësisht.

Autoritetet kufitare bëjnë me dije se pala shqiptare po operon me kapacitet të plotë, me 5 sportele në dalje, ndërsa pala greke po punon me 6 korsi në hyrje, në përpjekje për të përballuar fluksin.

Sipas të dhënave, situata ka qenë e qetë gjatë paradites, ndërsa ngarkesa është shtuar në orët e fundit si pasojë e kthimit masiv të emigrantëve pas festave. Megjithatë, qytetarët që presin në radhë shprehen se po përballen me vonesa të konsiderueshme.

Pavarësisht masave të marra për përshpejtimin e procedurave, pritet që fluksi të vijojë edhe në vijim të ditës, duke sjellë vonesa në kalimin e kufirit.

Autoritetet kufitare mbeten në gatishmëri për menaxhimin e situatës, ndërsa u bëjnë apel qytetarëve për durim dhe planifikim të lëvizjeve, për shkak të fluksit që pritet të vijojë edhe në orët në vijim.