Meloni kundër Trump: Sulmet ndaj Papës janë të papranueshme

Nga Alba Kepi

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Presidentit Donald Trump ndah të Atit të Shenjtë, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe duke mbrojtur rolin e Papës si zë për paqen në botë.

“Mendova se kuptimi i deklaratës sime të këtij mëngjesi ishte i qartë, por po e ritheksoj edhe një herë. I konsideroj të papranueshme fjalët e Presidentit Donald Trump ndaj Atit të Shenjtë. Papa është kreu i Kishës Katolike dhe është e drejtë dhe normale që ai të bëjë thirrje për paqe dhe të dënojë çdo formë lufte”, u shpreh ajo.

Reagimi i saj vjen pas një deklarate të mëparshme të bërë gjatë mëngjesit, ku Giorgia Meloni kishte shprehur mbështetje për misionin apostolik të Papa Papa Leone XIV në Afrikë.

“Në emër tim personal dhe të Qeverisë italiane, dëshiroj t’i drejtoj Papa Leone XIV falënderimet dhe urimet më të sinqerta për mbarëvajtjen e udhëtimit apostolik që do ta çojë për herë të parë në Afrikë dhe që do ta çojë të vizitojë katër vende: Algjerinë, Kamerunin, Angolën dhe Guinenë Ekuatoriale.

Shpresoj që shërbesa e Atit të Shenjtë të favorizojë zgjidhjen e konflikteve dhe rikthimin e paqes, si brenda vendeve ashtu edhe ndërmjet kombeve, në vijim të rrugës së ndjekur nga paraardhësit e tij, si dhe të ofrojë mbështetje dhe ngushëllim për komunitetet e krishtera që ai do të takojë gjatë këtij udhëtimi.

Italia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj për të nxitur ndërtimin e një modeli të ri bashkëpunimi me kontinentin afrikan dhe për të mbështetur paqen, zhvillimin dhe mirëqenien e popujve”, thuhej në deklaratën e saj.

Përmes këtyre qëndrimeve, Kryeministrja italiane riafirmon mbështetjen e saj për rolin e Kishës Katolike dhe të Papës si faktor kyç në promovimin e paqes dhe dialogut ndërkombëtar.