Lamine Yamal: Besojmë te përmbysja, shpresoj që Simeone...
Në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Atlético Madridit në çerekfinalet e UEFA Champions League, talenti i ri i Barcelona, Lamine Yamal, ka folur për mediat, duke treguar besim të madh për kualifikimin, motivimin personal dhe rolin e tij në skuadër. Në intervistën e tij, ai prek shumë tema, nga idhujt e tij deri te përgjegjësia për këtë sfidë vendimtare.
A të shërben Neymar si frymëzim?
“E kam parë shumë herë. Neymar është një lojtar që ka shenjuar gjithë fëmijërinë time. Është idhulli im dhe do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Është një lojtar për të cilin paguan biletë vetëm për ta parë. Duhet falënderuar për gjithçka që i ka dhënë futbollit. Shpresoj që të jetë në Botëror”.
Zemërimi i një jave më parë në ‘Metropolitano’?
“Janë gjëra që ndodhin në lojë, por tashmë kanë kaluar. Jam i fokusuar te ndeshja e nesërme. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, përpiqem të ndihmoj skuadrën. Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”.
Përgjegjësia në moshë të re...
“Kam pasur fatin që që i vogël kam marrë më shumë përgjegjësi sesa duhej. Jam mësuar me këtë. Mundohem t’i shijoj dhe jo t’i shoh si problem, por si një avantazh. Jam mirënjohës për gjithçka”.
Si e sheh veten pas tre vjetësh?
“Nuk e di saktësisht. Shpresoj me shumë më tepër trofe se tani. Shpresoj të kem një Botëror dhe një Champions. Çdo titull më bën të lumtur”.
Rikthimi i Gavit dhe rëndësia e La Masías...
“Është shumë i rëndësishëm për ndeshje si kjo e nesërmja. Jemi të gjithë nga shtëpia, të gjithë e duam Barcelonën. Do të japim gjithçka deri në fund”.
Pse të bën të lumtur një gol në Champions?
“Champions dhe Botërori janë dy kompeticionet më të rëndësishme. Kam ëndërruar gjithmonë të shënoj me Barcelonën në Champions”.
A je në formën më të mirë?
“Po, ndihem shumë mirë dhe jam shumë i motivuar për ndeshjen. Shpresoj të bëj diferencën. Të shohim nëse ‘Cholo’ më bën një nder dhe më vendos një kundër një me një lojtar”.
Çfarë po mendon skuadra?
“Është e vërtetë që u eliminuam nga Kupa, por kjo ka kaluar. Ky është Championsi, ne jemi Barcelona. Duhet të besojmë se mund të kalojmë”.
Si do ta përjetosh ndeshjen?
“Me shumë dëshirë. Në fillim të sezonit, me pubalgjinë, prisja pikërisht këto momente, sepse këtu dalin në pah lojtarët e vërtetë”.
Mesazhi për tifozët?
“Premtojmë që, nëse eliminohemi, do të jetë duke luftuar deri në fund. Do të japim gjithçka për këtë fanellë. Ndeshja zgjat 90 minuta ose më shumë, asgjë nuk ka mbaruar. Përmbysja është shumë e mundshme”.
Fotoja e LeBron James në Instagram?
“Ai është një nga referencat që më frymëzon për këtë ndeshje. Do të mendoj si e ka bërë ai dhe do të përpiqem ta bëj njësoj. Kemi shumë lojtarë me përvojë, unë jam një prej tyre, por jo i vetmi”.
A ndihesh përgjegjës për përmbysjen?
“Të gjithë lojtarët e Barcelonës kemi cilësi të mëdha. Kemi një skuadër që mund ta përmbysë rezultatin. Jam i bindur për këtë”.
Si e imagjinon ndeshjen?
“Me shumë intensitet, por pa humbur stilin tonë të lojës, që është çelësi. Nuk duhet ta mendojmë përmbysjen si mrekulli. Është e vërtetë që nisim nga 2-0, por duhet të luajmë si dimë”.
Pse duhet besuar te përmbysja?
“Jemi një ekip i ri dhe të gjithë e duam Barcelonën. E kemi treguar shumë herë. Këtu vendoset sezoni ynë, duam shumë të jemi në gjysmëfinale dhe do të japim gjithçka”.