‘S’kam frikë të flas, as ndaj Trump’, Papa Leo i përgjigjet me 'Ungjillin': ‘Të lumtur janë paqebërësit’!
Papa Leo XIV, i lindur në SHBA, kundërshtoi të hënën kritikat e Presidentit Donald Trump kundër tij, lidhur me luftën SHBA-Izrael në Iran, duke u thënë gazetarëve se thirrjet e Vatikanit për paqe dhe pajtim janë të rrënjosura në Ungjill, dhe se ai nuk ka frikë nga administrata Trump.
“Të vendos mesazhin tim në të njëjtin plan me atë që presidenti është përpjekur të bëjë këtu, mendoj se është moskuptimi i mesazhit të Ungjillit”, tha Leo për Associated Press në bordin e aeroplanit papnor gjatë rrugës për në Algjeri. “Dhe më vjen keq ta dëgjoj këtë, por do të vazhdoj me atë që besoj se është misioni i kishës në botën e sotme.”
Papa i parë i lindur në SHBA, theksoi se nuk po bënte një sulm të drejtpërdrejtë kundër Trumpit apo kujtdo tjetër me thirrjen e tij të përgjithshme për paqe dhe kritikat ndaj "iluzionit të gjithëpushtetshmërisë", që po nxit luftën e Iranit dhe konflikte të tjera në mbarë botën.
«Nuk do të hyj në debat. Gjërat që them sigurisht që nuk kanë për qëllim sulme ndaj askujt. Mesazhi i Ungjillit është shumë i qartë: ‘Të lumtur janë paqebërësit’», tha Leo.
"Nuk do të hezitoj të shpall mesazhin e Ungjillit dhe t'i ftoj të gjithë njerëzit të kërkojnë mënyra për të ndërtuar ura paqeje dhe pajtimi, si dhe të kërkojnë mënyra për të shmangur luftën sa herë që të jetë e mundur."
Duke folur me gazetarë të tjerë, ai shtoi: “Nuk kam frikë nga administrata Trump apo nga të folurit me zë të lartë për mesazhin e Ungjillit, për të cilin punon Kisha.”
“Ne nuk jemi politikanë. Ne nuk e shohim politikën e jashtme nga e njëjta perspektivë që mund ta ketë parë ai”, tha Papa, duke shtuar: “Do të vazhdoj të flas fuqishëm kundër luftës, duke kërkuar të promovoj paqen, të promovoj dialogun dhe multilateralizmin midis shteteve për të gjetur zgjidhje për problemet.”
“Shumë njerëz po vuajnë sot, shumë njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe unë besoj se dikush duhet të ngrihet dhe të thotë se ka një mënyrë më të mirë”, tha ai.
Trump thotë se Leo nuk po bën një punë shumë të mirë
Trump foli ashpër kundër Leos të dielën në mbrëmje, duke thënë se nuk mendonte se udhëheqësi global i Kishës Katolike, i lindur në SHBA, po “bën një punë shumë të mirë” dhe se “ai është një person shumë liberal”, ndërsa sugjeroi gjithashtu që Papa duhet “të ndalojë së shërbyeri të Majtës Radikale”.
Duke u kthyer në Uashington nga Florida, Trump përdori një postim të gjatë në mediat sociale për të kritikuar ashpër Leon, kritikë të cilin e vazhdoi edhe pasi zbriti nga avioni, në komentet e tij në pistë për gazetarët.
«Nuk jam fans i Papa Leos», tha ai.
Komentet e Trump erdhën pasi Leo sugjeroi gjatë fundjavës se një "iluzion i plotfuqishmërisë" po nxit luftën SHBA-Izrael në Iran. Ndërsa nuk është e pazakontë që papët dhe presidentët të kenë qëllime të kundërta, është jashtëzakonisht e rrallë që papa të kritikojë drejtpërdrejt një udhëheqës amerikan - dhe përgjigjja therëse e Trump është po aq e pazakontë, nëse jo më shumë.
“Papa Leo është I DOBËT ndaj krimit dhe i tmerrshëm për politikën e jashtme”, shkroi presidenti në postimin e tij, duke shtuar: “Nuk dua një Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë një armë bërthamore.”
Politikanët italianë nga të gjithë spektrin treguan solidaritetin e tyre me Leon. Kryeministrja Giorgia Meloni dërgoi një mesazh mbështetjeje për misionin e tij të paqes, ndërsa udhëheqësja e partisë kryesore të opozitës, Elly Schlein, ishte më e drejtpërdrejtë, duke i quajtur sulmet e Trump "jashtëzakonisht serioze".
Trump e përsëriti këtë ndjenjë në komentet për gazetarët, duke thënë: “Nuk na pëlqen një papë që thotë se është në rregull të kesh një armë bërthamore”.
Kundërshtimi i Leos ndaj luftës e bezdisi Trumpin
E gjithë kjo ndodhi pasi Leo kryesoi një shërbesë lutjeje në mbrëmje në Bazilikën e Shën Pjetrit të shtunën, të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani filluan negociatat ballë për ballë në Pakistan gjatë një armëpushimi të brishtë, me zëvendëspresidentin JD Vance që kryesonte delegacionin amerikan. Vance është katolik dhe së fundmi botoi një libër rreth besimit të tij.
Gjatë shërbesës së lutjes së mbrëmjes, Papa nuk i përmendi Shtetet e Bashkuara ose Trumpin me emër, por toni dhe mesazhi i tij dukej se i drejtoheshin Trumpit dhe zyrtarëve amerikanë, të cilët janë mburrur me superioritetin ushtarak të SHBA-së dhe e kanë justifikuar luftën në terma fetarë.
Leo, i cili është në një udhëtim 11-ditor në Afrikë duke filluar nga e hëna, ka thënë më parë se Zoti "nuk i dëgjon lutjet e atyre që bëjnë luftë, por i refuzon ato". Ai gjithashtu i është referuar një fragmenti të Dhiatës së Vjetër nga Isaia, duke thënë se "edhe pse bëni shumë lutje, unë nuk do t'ju dëgjoj - duart tuaja janë plot me gjak".
Përpara armëpushimit, kur Trump paralajmëroi për sulme masive kundër termocentraleve iraniane dhe infrastrukturës tjetër dhe se "një qytetërim i tërë do të vdesë sonte", Leo i përshkroi ndjenja të tilla si "vërtet të papranueshme".
Megjithatë, në postimin e tij në rrjetet sociale të dielën në mbrëmje, Trump shkoi shumë përtej luftës në Iran duke kritikuar Leon.
Presidenti shkroi: “Nuk dua një Papë që mendon se është e tmerrshme që Amerika sulmoi Venezuelën, një vend që po dërgonte sasi të mëdha droge në Shtetet e Bashkuara.” Kjo ishte një referencë për rrëzimin nga pushteti të presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga administrata Trump në janar./ AP.