Zyrtarizoi largimin nga Liverpooli, Milani synon goditjen me parametër zero
Mbrojtësi skocez, Andy Robertson, ka zyrtarizuar largimin e tij nga Liverpooli në fund të sezonit, duke hapur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij. Pas njoftimit të mëparshëm të Mohamed Salah, ky është një tjetër ndryshim i madh në skuadrën angleze.
Në një deklaratë emocionale, Robertson u shpreh: “Kam dhënë shpirtin dhe zemrën për këtë klub, nuk kam shumë pengje. Këtu jam rritur si njeri dhe si lojtar. Liverpooli dhe tifozët e tij do të jenë gjithmonë gjithçka për mua”. Nga ana e tyre, “The Reds” e përshëndetën si një legjendë të klubit.
I lindur në vitin 1994, Robertson ka zhvilluar 31 ndeshje këtë sezon në të gjitha kompeticionet, ndërsa karriera e tij te Liverpooli është e mbushur me trofe të rëndësishëm: 2 tituj në Premier League, 1 UEFA Champions League, 1 Superkupë Europe dhe 1 Kupë Bote për Klube.
Largimi i tij me parametër zero ka tërhequr interesin e shumë klubeve. Në Angli, Tottenhami duket aktualisht në avantazh, ndërsa në Skoci ka interes nga Celtic dhe Rangers. Megjithatë, në garë është edhe Milani, me trajnerin Massimiliano Allegri që po e vlerëson seriozisht afrimin e tij.
Eksperienca e Robertsonit dhe roli i tij si mbrojtës i majtë tipik do t’i jepnin mundësi Allegrit të aplikonte më lehtë skemën 4-3-3. Për më tepër, prania e tij do të ndihmonte edhe zhvillimin e talentit të ri Davide Bartesaghi, i cili do të përfitonte nga eksperienca e një prej më të mirëve në atë rol.
Edhe paga nuk pritet të jetë pengesë, pasi Robertson fiton pak më shumë se 5.5 milionë euro në sezon, shifër që mund të negociohet. Aktualisht Tottenhami kryeson garën, por Milani mbetet në pritje dhe gati për të bërë lëvizjen vendimtare në momentin e duhur.